Zëvendëspresidenti amerikan, JD Vance, deklaroi se marrëveshja mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit është nënshkruar tashmë në mënyrë dixhitale të dielën, ndërsa ceremonia zyrtare e firmosjes pritet të zhvillohet këtë javë në Zvicër.
Në një intervistë për mediat amerikane, Vance tha se dokumenti është firmosur elektronikisht nga të dyja palët, por theksoi se shumë nga detajet e marrëveshjes nuk janë bërë ende publike. Sipas tij, nuk është transferuar asnjë fond dhe nuk do të ketë lehtësim sanksionesh për Iranin pa verifikimin e plotë të angazhimeve të Teheranit.
Administrata e Presidentit Donald Trump e ka paraqitur marrëveshjen si një hap historik drejt përfundimit të konfliktit disa mujor mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas deklaratave të deritanishme, objektivat kryesore përfshijnë garantimin që Irani të mos zhvillojë armë bërthamore dhe rihapjen e Ngushticës së Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme të transportit të naftës në botë.
Megjithatë, mbeten ende pikëpyetje të shumta mbi përmbajtjen e plotë të marrëveshjes. Nuk është bërë publike mënyra se si do të zbatohen masat e verifikimit, çfarë forme do të marrë lehtësimi i mundshëm i sanksioneve dhe cilat do të jenë detyrimet konkrete të Iranit në muajt e ardhshëm.
Vance premtoi se teksti i plotë i marrëveshjes do të publikohet së shpejti, ndërsa negociatat teknike mes palëve vazhdojnë. Ndërkohë, liderët e vendeve të G7 pritet të diskutojnë marrëveshjen gjatë samitit në Francë, pasi ndikimi i saj mund të ketë pasoja të rëndësishme për sigurinë rajonale dhe tregjet globale të energjisë.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


