Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott, e ka mirëpritur mbajtjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës të dielën e 23 prillit, të cilat siç u shpreh edhe ai u mbajtën të qeta e të sigurta pa ndonjë incident.
“E mirëpres që zgjedhjet në komunat veriore dje u mbajtën sigurt dhe pa ndonjë incident të madh. Do të doja t’i nderoja zyrtarët e zgjedhjeve & policinë që e bënë këtë të mundur. Më vjen keq për mungesën e partive politike serbe dhe zgjedhjes për serbët në procesin zgjedhor”, ka shkruar Abbotti në Twitter.
“Raportimet për presion dhe kërcënimeve në disa raste për mospjesëmarrje ishin thellësisht shqetësuese . Pres progres në zbatimin e marrëveshjes së arritur në Ohër muajin e kaluar në interes të të gjithë qytetarëve të komunave veriore”, ka vijuar ai.
Ndryshe, në zgjedhjet e së dielës, dy komuna i ka fituar LVV-ja, kurse dy të tjera PDK-ja.


