Deputetja e pavarur Marjana Koçeku i ka drejtuar një letër të hapur kryeministrit Edi Rama, ku i kërkon publikisht të japë dorëheqjen, duke argumentuar se vendi ndodhet përballë një krize të thellë besimi mes qytetarëve dhe pushtetit.
Në letrën e saj, Koçeku i referohet protestës që prej 24 ditësh po zhvillohet para Kryeministrisë, duke e cilësuar atë si një shprehje të revoltës qytetare kundër klasës politike dhe mënyrës së qeverisjes në vend.
“Populli ju ka kërkuar një sërë pikash, por ju keni shmangur përballjen dhe llogaridhënien që ju takon si drejtues i shtetit”, shkruan deputetja, duke akuzuar qeverinë se ka zgjedhur të denigrojë protestuesit në vend që të dëgjojë kërkesat e tyre.
Koçeku thekson se protesta nuk është kundër aleatëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, por kundër një sistemi të brendshëm që, sipas saj, është ndërtuar mbi frikën, servilizmin dhe shkëputjen nga interesat e qytetarëve.
Deputetja ndalet edhe te përvoja e saj personale në politikë, duke kujtuar largimin nga forca politike ku kishte bërë pjesë më parë. Sipas saj, mungesa e debatit të lirë dhe mospranimi i mendimit ndryshe e shtynë të largohej dhe të mbante një qëndrim të pavarur.
Në letër, ajo shpreh mbështetjen për protestuesit dhe kauzat që lidhen me mbrojtjen e pronës, mjedisit dhe interesit publik, duke përmendur mes të tjerash çështjet e Rrjollit dhe Zvërnecit. Koçeku argumenton se pakënaqësitë e grumbulluara ndër vite kanë krijuar një hendek të madh mes qytetarëve dhe institucioneve.
“Shqiptarët janë lodhur dhe nuk frymëzohen më as nga ju, e as nga kasta e vjetër politike”, shkruan ajo, duke shtuar se vendi po përballet me një krizë legjitimiteti që nuk mund të injorohet.
Në pjesën më të fortë të mesazhit të saj, deputetja i bën thirrje kryeministrit të ndërmarrë atë që e quan “akti i fundit politik”, duke dhënë dorëheqjen në emër të interesit publik.
“Nëse do t’jua doja të mirën, do t’ju uroja më pak pushtet dhe më shumë fisnikëri. Kjo arrihet vetëm nëse kryeni aktin tuaj të mbramë politik: atë të dorëheqjes”, shprehet Koçeku.
Ajo mbyll letrën duke deklaruar se nuk ka frikë të mbetet e vetme në qëndrimet e saj politike dhe se do të vazhdojë të mbrojë bindjet që, sipas saj, përfaqësojnë interesin e qytetarëve.
Letra e hapur e Marjana Koçekut vjen në një moment tensionesh politike dhe protestash të vazhdueshme në Tiranë, duke shtuar zërat kritikë që kërkojnë reflektim dhe ndryshime në drejtimin e vendit.
Letër e Hapun
Kryeministrit z. Edi Rama
Zoti Kryeministër,
Mbasditen e sotme pritet të jetë dita e 24-të e nji proteste prej dhjetëra mijëra qytetarësh të mbledhun në shesh, të revoltuem e të lodhun nga indiferenca, dehja dhe deliri i pushtetit të krejt klasës politike të vendit.
Populli ju ka kërku nji rresht pikash, të cilat ju, përveçse keni shmangë përballjen dhe llogaridhanien që ju takon si drejtues i shtetit, po përpiqeni në mënyrë të padrejtë t’i fyeni, t’i ulni shpirtnisht dhe t’i denigroni, edhe pse ata po ushtrojnë nji të drejtë të tyne themelore kushtetuese: protestën.
Populli shqiptar ka ndjenja të thella mirënjohjeje për SHBA-në dhe kjo protestë nuk u kundërvihet aspak atyne, por sistemit të mbrendshëm që asht krijue ndër dekada mbi frikën, servilizmin dhe tëhuajsimin e qenies shqiptare. Nji sistem ku, pamvarësisht iluzioneve të para që m’u krijuen, nuk e gjeta veten, së paku jo si pjesë e nji partie të caktume.
Kjo protestë, sidomos qysh se u bana pjesë fizike e saj, më bani me kuptue edhe ma shumë se shqiptarët, ma në fund, po e llogarisin atdheun e tyne si atdhe; po e shohin vendin e tyne si nji hapsinë të jetueshme, ku duhet të kthehen dhe jo si nji tokë prej së cilës duhet të largohen. E admiroj qëndresën e tyne, kjo tregon se kena kujt me i shërbye!
Populli shqiptar po tenton me kalu nga vegjëlia në sovranitet për me shpreh vullnetin e penguem dhe, pas kaq shumë motesh, për me realizue kalimin nga ndërgjegjja personale te vetëdija kolektive, që mbart thellë e pastër mrenda vetes të trija kohët e njerit.
Zoti Kryeministër, brezi i ri, të cilit unë i përkas, nuk intimidohet ashtu si brezi i prindve tonë, i cili shpesh pranonte poshtnimin dhe shantazhohej nga nevoja për me mbijetue. Ky brez asht pa komplekse dhe kërkon me e manifestu energjinë dhe lirinë e vet pa u ba mashë e as hije e pushtetit.
Hymja jeme në politikë ka qenë nji vendim që më mori kohë për me e gjet guximin që ta bajsha atë hap, por largimi nga formacioni që ju keni ndërtue dhe që sot ndodhet në nji dehje të thellë pushteti, më kërkoi edhe ma shumë kohë derisa gjeta guximin për me e realizue.
Shqiptarët janë lodhë dhe nuk frymëzohen ma as nga ju, e as nga kasta e vjetër politike. Kjo iu ka çue në nji krizë të thellë legjitimiteti e cila vështirë se mund të tejkalohet pa pasoja a lëshime.
Ndërtimet, për të cilat qytetarët nuk u pyetën kurrë, i bajnë hije edhe tokës edhe qiellit. Mohuesit e rimohuesit e këtij vendi i kanë shndërrue në nji përzimje pa identitet dhe duket sikur shtyjnë njani-tjetrin me brryla. Prandaj me të drejtë, nuk besohet ma në zhvillimin që ju proklamoni.
Përçmimi i revoltës së njerëzve të thjeshtë dhe kauzave si ajo e Rrjollit, Zvërnecit e shumë të tjerave në kohë, kanë ndërtue nji ngrehinë pakënaqësish që vështirë të shembet ma.
Për ata që pyesin pse nuk fola ma herët, përgjigjja nuk kërkon shumë kohë. Drejtuesit e grupit që lashë pas nuk e pranonin mendimin ndryshe, as debatin, as ndjeshmëninë morale. Madje ata me çdo mjet përpiqen t’ia marrin frymën edhe tentativës ma të vogël për me qenë ndryshe, a me mendim të lirë.
Jam e bindun se me botëkuptime tëhuajsuese nuk mund të ndërtohen realitete të sigurta për të ardhmen. Prandaj asht koha të kalojmë nga ndërtimi i projekteve 3D te ndërtimi i nji botëkuptimi tjetër, ma autentik, të cilin kjo protestë po e mbjell dhe po e udhëheq ma së miri, nji botëkuptim ku i hueji nuk trajtohet ma mirë se i joti, nji mendësi që i lejon shqiptarit me qenë zot në shtëpinë e vet.
Anmiqtë e vendit tonë nuk kanë qenë thuejse kurrë të jashtëm, ashtu siç po përpiqeni edhe ju t’i pikturoni, por kanë qenë ma së shumti të mbrendshëm, të strukun mirë, të kollarisun dhe të kapluem nga dalldia e pushtetit dhe shkëputja nga realiteti.
Zoti Kryeministër, nji zhvillim asht i mirë vetëm kur u shërben njerëzve të vet dhe kur i mban ata në mirëqenie, pa qenë të detyruem të bahen emigrantë në tokë të huej e turistë në vend të vet. Përndryshe, ky zhvillim bahet i dhunshëm, nëse të detyron të harrosh se kush je e se kujt i përket.
Shqiptarët nuk kanë nevojë medoemos për të huejën; ata kanë nevojë për një realizëm dhe për nji zhvillim që respekton natyrën, pronën, përkatësinë tonë, vlerat dhe mbi të gjitha për një zhvillim që nuk mohon parimin e solidaritetit me brezat e ardhshëm. Ata kanë nevojë për njerëz që i përfaqësojnë me ndërgjegjen e së nesërmes.
Si deputete e kam pa nga afër dhe jam e bindun se edhe nji pjesë e madhe e elitës politike nuk ka ma besim te ju, por guximi për me u rrëfye dhe për me veprue mund të lypin edhe pak kohë.
Njerëzit munden me rrokë nji ideologji të caktueme në masën që ajo u garanton nji perspektivë individuale dhe nji siguri kolektive. Sot n’Shqipni të dyja këto po çalojnë thellësisht.
Ditë mbas dite shqiptarët në shesh dhe ata që i mbështesin prej larg po japin mesazhin se nuk janë nji popull i ndaluem dhe nuk pranojnë ma të jenë të harruem. Kjo protestë asht nji lumë i rrëmbyeshëm që rrjedh në lëkurën e historisë dhe që nuk pranon ma të trajtohet sikur nuk shihet dhe nuk ndihet.
Mosmarrëveshja mes shtetit dhe kombit çon në shkelje të randa të moralit, në aleanca pa parime, në hedonizëm të verbët dhe në fund në nji kulm të ri të së keqes: përqeshjen e Shqipnisë. Dhe ky pokerizëm që po i bahet vendit tonë, po na shpie qorrazi nëpër natë drejt përplasjes me ajsbergun.
Jeni ende në kohë ta ndaloni këtë. Të shfuqizoni ligjet klienteliste e favorizuese, të mendoni për Republikën dhe për popullin shqiptar, i cili ka pa dhe ka përjetue mjaftueshëm dhe që tash meriton të respektohet dhe të mbrohet.
Unë e di se ka shumë kumona që bien mbrenda jush, por ajo që di po ashtu asht se kryeministri nuk asht mëkambësi i Zotit. Nëse hyjnorja nuk e lyp kurrë legjitimitetin, kryeministri e lyp atë periodikisht. Dhe nëse dëshironi që legjitimiteti t’iu rikthehet, atëherë ndigjojeni sheshin. Ndigjojeni ahtin e popullit tuej.
Nuk asht detyrë e pushtetit ta bajnë njeriun të lumtun, detyrë e tij asht me krijue kushtet që ai me mujtë me qenë i lumtun. Protestuesit nuk janë as libertinë, as jakobinë; janë shqiptarë të ndërgjegjshëm që kanë vendosë me iu rikthye vendit, vetes dhe dinjitetit të tyne.
Nëse do t’jua doja të mirën, do t’ju uroja ma pak pushtet dhe ma shumë fisnikëri. Kjo arrihet vetëm nëse kryeni aktin tuej të mbramë politik: atë të dorëheqjes.
E di se ky vendim kërkon ndjeshmëni morale, fisnikëri politike dhe mbi të gjitha atdhedashni. Uroj t’i gjeni sa ma parë këto virtyte, që vendin që shqiptarët jua dhanë ta leni me dinjitet. Për këtë, jeni ende n’kohë.
Sheshi po thërret me za eumenidje. Po i jep pushtetit mundësinë me vendosë drejtësinë. Prandaj si deputete e Kuvendit dhe si qytetare e Republikës së Shqipërisë, ju baj thirrje me vepru në emën të së mirës së përbashkët; në emën të asaj që asht dhe jo të asaj që ju mendoni se asht; t’i shpërbleni shqiptarët me dorëheqjen tuej.
Në mesazhet e fundit që kena shkëmbye më keni thanë se kam me mbetë vetëm e pa besim dhe as njerëzit e maleve nuk kanë me më përfillë ma. Por unë nuk kam frikë me ecë vetëm, unë jam dhe do mbetem Marjana e maleve, e tash e kam kalue gardhin, pa kthim.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


