Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka reaguar publikisht për të hedhur poshtë zërat që e lidhin emrin e tij me një largim të mundshëm nga grupi parlamentar i PS-së, një veprim i ngjashëm me atë të deputetes Marjana Koçeku, e cila së fundmi u shkëput nga socialistët.
Përmes një reagimi të gjatë në rrjetet sociale, Braçe theksoi se nuk ka ndërmend të largohet nga Partia Socialiste, të shpallë pavarësinë politike apo të heqë dorë nga mandati i deputetit.
“Unë jam socialist, nuk bëhem i pavarur. Jam partizan, jo neutral, mbaj qëndrime dhe nuk dal mënjanë”, shkruan Braçe në deklaratën e tij.
Deputeti socialist kujtoi se është pjesë e PS-së që nga themelimi i saj dhe se prej 35 vitesh ka milituar në radhët e kësaj force politike. Ai nënvizoi se identiteti i tij politik është i lidhur ngushtë me Partinë Socialiste dhe se largimi nga grupi parlamentar nuk do të thotë pavarësi politike.
“Askush nuk do ta besonte që po të ikja nga grupi i PS-së, do isha i pavarur. Unë jam në PS prej themelimit, kam milituar në të për 35 vite, kam jetuar në të dhe kam bërë beteja aty e prej aty si socialist”, shprehet ai.
Braçe gjithashtu u ndal te puna e tij si deputet, duke theksuar se mandatin e ka fituar përmes votës së qytetarëve të Tiranës dhe jo përmes listës së mbyllur. Ai tha se do të vazhdojë të përfaqësojë zgjedhësit e tij dhe të respektojë besimin e dhënë nga mbi 25 mijë votues.
“Kam bërë deputetin, bëj deputetin dhe do vijoj të bëj deputetin. Nuk dorëhiqem dhe do të respektoj 25 mijë njerëzit që më votuan dhe më besuan këtë detyrë”, deklaron ai.
Megjithatë, Braçe nuk i kurseu kritikat ndaj partisë së tij. Ai tha se do të vazhdojë të ngrejë shqetësime dhe të kërkojë llogari për çështje që, sipas tij, shpesh shpërfillen apo lihen jashtë agjendës politike.
“Do vijoj t’i rri përballë partisë sime, duke thënë të vërtetën, duke kërkuar llogari, duke kritikuar, debatuar dhe kundërshtuar kur është e nevojshme”, theksoi ai.
Në fund të reagimit, deputeti socialist u distancua edhe nga protestat e zhvilluara në Tiranë kundër qeverisë, duke deklaruar se nuk ka nevojë për to për të ngritur zërin ndaj problematikave që sheh brenda partisë apo qeverisë. Sipas tij, debatet dhe kundërshtimet duhet të zhvillohen brenda strukturave politike dhe institucionalisht, “sy më sy” me drejtuesit e partisë dhe qeverisë.
Deklarata e Braçes vjen në një moment kur në Partinë Socialiste janë shtuar diskutimet për qëndrimet kritike të disa deputetëve ndaj qeverisë dhe drejtimit të partisë, duke nxitur spekulime mbi lëvizje të mundshme politike brenda mazhorancës. Megjithatë, deputeti i Tiranës e bëri të qartë se ai do të mbetet pjesë e PS-së, duke vijuar njëkohësisht të shprehë publikisht qëndrimet dhe kritikat e tij.
Deklarata e plotë
Fjala ime
Përgjigje për tre gjëra:
Unë jam socialist, nuk bëhem i pavarur,
Jam partizan, jo neutral, mbaj qëndrime,
Nuk dal mënjanë!
Unë jam deputet i zgjedhur në tiranë, nuk jam prej listës, kam bërë deputetin, bëj deputetin, Do vijoj të bëj deputetin, nuk dorëhiqem! Do vijoj t’i rri përballë partisë sime, duke thënë të vërtetën, duke kërkuar llogari, kritikuar, debatuar, kundërshtuar, propozuar, miratuar aty, sy më sy e nga çdo cep i territorit që mbuloj si deputet; pra nuk kam nevojë për protestën e nuk dua kapital politik prej saj!
Askush nuk do ta besonte që po të ikja nga grupi i PS-së, do isha i pavarur, edhe ata që ma shkruajnë këtë; unë jam në PS prej themelimit, kam milituar në të për 35 vite, kam jetuar në të e punuar bashkë me të, kam bërë beteja aty e prej aty, si socialist, duke mbajtur qëndrime e pa qenë kurrë neutral, domethënë i pavarur.
Ndërkohë kam bërë deputetin, bëj deputetin e do vijoj të bëj deputetin, jo vetëm në Njësinë 5, por në të gjithë Tiranën. Nuk ka sot njeri në njësinë time që s’e di kë ka deputet. Nuk ka sot njeri në Tiranë që të mos dijë që unë jam deputet i këtij qarku. Nuk gjen njeri të thotë që deputeti nuk më ka ardhur në njësi, lagje, bllok, rrugë, rrugicë, shesh poshtë pallatit; që të thotë deputeti nuk më është përgjigjur, nuk më ka përfaqësuar në Kuvend për hallet e shqetësimet e mia apo të lagjes. Pra kam bërë punën, bëj punën, do bëj punën, nuk dorëhiqem e do respektoj 25 mijë njerëzit që votuan e më besuan këtë punë.
Në fund, doemos që do vijoj t’i rri përballë partisë sime për të vërteta që refuzon t’i shohë apo i ka jashtë çdo agjende për 1001 arsye, përfshi shpërfilljen, përjashtimin apo arrogancën; kam hapësirën e mjaftueshme për ta bërë këtë pa asnjë rezervë, siç të shtunën, sy më sy me kryeministrin e qeverinë. Pra nuk kam nevojë të jem në protestën me 7-8 agjenda – disa primitive e shumë të rrezikshme për këtë vend, por e bëj përballë e sy më sy, duke qenë i përgjegjshëm, duke marrë e kërkuar përgjegjësi!
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


