Vllaznia e basketbollit të meshkujve ka afruar një tjetër lojtarë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Pas Craig Sabb, tashmë me kuqeblutë është bashkuar edhe Endrel Mckyron, i cili është vendosur menjëherë në dispozicion të trajnerit Damian Bekteshi. 25-vjeçari, 192 cm, i cili aktivizohet në pozicionet 1 dhe 2 ka thënë edhe fjalët e para si lojtar i Vllaznisë.
“Këtu në Shkodër kam gjetur menjëherë një mikpritje të veçantë. Vllazninë e kam ndjekur në katër ndeshjet e para të sezonit dhe kam krijuar një përshtypje për lojën e skuadrës.
Jam gati të luaj që në ndeshjen e radhës dhe i premtoj tifozërisë që do të jap më të mirën time në parket për t’i sjellë skuadrës sa më shumë fitore”, deklaroi basketbollisti amerikan, i cili pritet të debutojë të shtunën në ndeshjen kundër Flamurtarit, takim që do të luhet në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” në orën 18:00. Endrel Mckyron vjen nga eksperienca në kampionatet e kolegjeve në SHBA.
/BotaSot/


