Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës kanë paralajmëruar se do ta dërgojnë në Gjykatën Kushtetuese Ligjin për Këshillin Prokurorial dhe atë të Komisionit të Pavarur të Mediave.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se nëpërmjet votimit të këtyre ligjeve po tentohet të kapen dhe të nënshtrohen këto institucione të pavarura.
“Përpjekjet e përsëritura të këtij pushteti për kapjen dhe nënshtrimin e institucioneve të pavarura të drejtësisë si dhe kontrollimin e mediave dhe të fjalës së lirë, e morën formën e vendimit me miratimin e dy ligjeve në seancën e sotme”, është shprehur ai.
Deputeti i partisë opozitare ka shtuar se nëpërmjet dërgimit në Kushtetuese do të sigurohet “që të respektohet Kushtetuta e Republikës së Kosovës”.


