Tiranë, 27 maj 2025 — Pas përfundimit të procesit zgjedhor në Shqipëri, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë ka reaguar përmes një mesazhi të shkurtër në rrjetet sociale, duke përshëndetur qytetarët shqiptarë për pjesëmarrjen në votime.
“Urojme popullin shqiptar për zgjedhjet parlamentare dhe presim të vazhdojmë partneritetin tonë të ngushtë me Shqipërinë,” thuhet në deklaratën e publikuar në llogaritë zyrtare të ambasadës në Twitter dhe Facebook.

Mesazhi vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, pasi zgjedhjet e fundit janë parë si një provë e maturimit demokratik dhe përpjekjeve për integrim të mëtejshëm në strukturat euroatlantike. Edhe pse misionet vëzhguese ndërkombëtare ende nuk kanë publikuar raportet përfundimtare, pjesëmarrja në zgjedhje dhe procesi përgjithësisht i qetë janë përmendur nga disa zyrtarë si hapa pozitivë përpara.
Deklarata e Ambasadës amerikane nënvizon vazhdimësinë e marrëdhënieve të forta mes dy vendeve, një partneritet që është forcuar në fusha të shumta, përfshirë mbrojtjen, sundimin e ligjit, reformën në drejtësi dhe zhvillimin ekonomik.
Reagimi i Uashingtonit konsiderohet nga analistët si një sinjal stabiliteti dhe mbështetjeje për institucionet shqiptare, pa hyrë në komente të detajuara mbi rezultatin politik.
Shtetet e Bashkuara janë një ndër partnerët strategjikë më të rëndësishëm të Shqipërisë dhe që prej viteve ’90 kanë luajtur një rol kyç në tranzicionin demokratik dhe konsolidimin institucional të vendit.
Foto nga U.S Embassy Tirana facebook page


