Një tjetër kapitull në marrëdhënien e ndërlikuar mes dy figurave më të fuqishme të kohës
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka reaguar publikisht pas deklaratës së fundit të Elon Muskut, ku ky i fundit pranoi se ishte penduar për komentet e tij të mëparshme kritike ndaj kreut të Shtëpisë së Bardhë. Në një prononcim për mediat, Trump u shpreh se falja e shefit të Tesla-s dhe SpaceX ishte “shumë e ëmbël”, duke shtuar me një ton të qetë se nuk mban asnjë lloj inati ndaj tij.
Në një intervistë për New York Post, Trump mësohet të jetë shprehur se nuk e fajëson Muskun për prishjen e fundit në marrëdhënien e tyre, megjithëse ndjehet pak i zhgënjyer.
“Jam mësuar me kritika, por gjithmonë e vlerësoj kur dikush ka guximin të reflektojë dhe të kërkojë falje. Ajo që tha Elon ishte shumë e ëmbël. Nuk kam kurrfarë inati ndaj tij. Të gjithë gabojmë herë pas here. E vërteta është se u habita kur kjo ndodhi. Ai sulmoi një projektligj që është i shkëlqyer. Mendoj se ai në të vërtetë ndihet keq që e tha këtë. Isha i zhgënjyer prej tij, por, e dini, kështu janë gjërat. Nuk e fajësoj. Isha vetëm pak i zhgënjyer”,- deklaroi Trump, duke treguar një qëndrim të moderuar, ndonëse marrëdhënia mes tyre ka pasur jo pak tensione në të kaluarën.
Kujtojmë se kohët e fundit Elon Musk kishte dalë me tone të forta kritike ndaj presidentit amerikan, veçanërisht në lidhje me politikat e emigracionit, teknologjinë dhe lirinë e fjalës. Ai madje kishte përmendur mundësinë e krijimit të një force të re politike – “Partia e Amerikës” – një sinjal që u interpretua nga analistët si një sfidë e drejtpërdrejtë ndaj Trump. Por duket se klima politike është zbutur, të paktën për momentin.
Pavarësisht ketij “armëpushimi verbal”, mbetet për t’u parë nëse ky kapitull do të jetë fillimi i një afrimi të ri apo thjesht një pauzë taktike në një raport që ka alternuar admirimin me kritikën. Në politikën amerikane, sidomos në këtë epokë të polarizuar, edhe një falje mund të ketë pasoja të mëdha.
Foto nga Google Images


