9.8 C
Sterling Heights
21/10/2025, 11:07
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Kush ma mjekon më mirë plagën? Kura mjekësore. Besimi në hyjnoren. Dashuria njerëzore?

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaKultureKush ma mjekon më mirë plagën? Kura mjekësore. Besimi në hyjnoren. Dashuria...

Nga Leonard Malaj

 

Në jetën time, si në jetën e çdo njeriu, kam pasur momente kur sëmundja apo dhimbja më kanë ndalur në mes të rrugës. Janë ato ndalesa që nuk i zgjedh, por që të detyrojnë të mendosh, të reflektosh, të kuptosh sa i brishtë dhe njëkohësisht sa i fortë mund të jetë njeriu.

Në ato çaste ku frika për humbjen përzihet me shpresën për jetën, kam kuptuar se shërimi nuk është vetëm biologjik, por edhe shpirtëror. Në çdo përballje, tek unë janë përplasur tri forca: mjekësia, besimi dhe humanizmi.

A-Kura mjekësore – dija dhe përkushtimi që shpëton trupin dhe shpirtin.

Nuk mund ta mohoj fuqinë e mjekësisë. Falë saj, njerëzimi ka bërë hapa të mëdhenj dhe unë vetë kam parë e ndjerë se sa shumë mund të bëjë ajo për të shpëtuar një jetë.

Në përvojën time, kam njohur mjekë të ndershëm, të përkushtuar dhe frymorë, që punojnë me zemër e ndërgjegje, pa bërë dallime, pa humbur ndjeshmërinë njerëzore. Ata janë dëshmia më e gjallë se manteli i bardhë nuk është vetëm uniformë, por simbol i shenjtërisë së profesionit të tyre.

Në sytë e tyre kam parë lodhje, por edhe dashuri për jetën që mbrojnë çdo ditë. Kam parë mjekë, infermierë e personel ndihmës që punojnë në orët e vona, që i qëndrojnë pranë pacientit si të ishte pjesë e familjes së tyre.

Kam parë mjekë që, përpara se të jenë profesionistë, janë njerëz me shpirt të madh — prindër, bij, vëllezër e motra që ndiejnë dhimbjen e tjetrit dhe nuk e shohin njeriun përballë si “rast”, por si jetë.

E them me bindje nga përvoja ime dhe më duhet t’i falënderojë dhe t’i urojë mjekët M. Begaj, N Bani,J. Basho,N.Beqari apo gadishmërinë e E Nikaj për të qëndruar pranë me kujdesin e saj,mjekësia e vërtetë nuk shëron vetëm trupin, por edhe shpirtin. Një fjalë e ngrohtë, një dorë e vendosur me kujdes në sup, apo një buzëqeshje përtej lodhjes, janë pjesë e shërimit po aq sa ilaçi vetë.

Unë kam besim të thellë tek ky profesion fisnik, sepse e kam parë me sytë e mi se si mjekët tanë luftojnë çdo ditë kundër dhimbjes, shpesh në kushte të vështira, por me nder, përkushtim dhe dashuri. Ata janë dëshmia më e pastër se ende ka njerëz që jetojnë për të shëruar, jo për të fituar. Dhe kjo më bën të besoj se shpresa për njeriun nuk humbet kurrë.

B-Kurajua dhe besimi në hyjnoren – forca që më ringjall

Kam mësuar se asnjë sëmundje nuk është vetëm çështje fizike. Trupi mund të vuajë, por shpirti është ai që përcakton nëse njeriu dorëzohet apo qëndron.

Me kalimin e kohës kam kuptuar se duhet ta ndaj atë që është biologjike nga ajo që është hyjnore. Ajo që është biologjike ka nevojë për trajtim, dije dhe kujdes; ajo që është hyjnore, kërkon besim dhe kurajë. Dhe unë kam zgjedhur të besoj.

Besimi më ka mësuar të mos e shoh sëmundjen si mallkim, por si sfidë.

Nuk e them me lehtësi, por e them me bindje: Perëndia u jep sprova të forta njerëzve të fortë. Ai nuk i vendos barrën e malit atij që nuk mund ta ngjisë, por atij që mund të arrijë majën.

Në fillim e shihja dhimbjen si pengesë, tani e shoh si mësim. Çdo sfidë më ka mësuar diçka për durimin, për qëndrueshmërinë dhe për fuqinë që njeriu mban brenda vetes pa e ditur.

Kam kuptuar gjithashtu se, si në çdo betejë, përpara se të nisesh, duhet të forcosh shpirtin. Një strateg i mirë, përpara luftës, i përgatit njerëzit e tij moralisht; e njëjta gjë ndodh edhe me mua.

Nëse dorëzohem në shpirt, humbas që përpara se të luftoj. Por nëse besoj, nëse i jap vetes forcë, ndonjëherë ndodhin mrekulli që as shkenca nuk i shpjegon.

Besimi është zëri i brendshëm që më thotë: “Mos ki frikë, kjo nuk është fundi yt.”

Dhe sa herë e dëgjoj atë zë, ringjallem përsëri — më i fortë, më i qetë, më mirënjohës për çdo frymëmarrje.

Besimi më ka mësuar që mrekullia nuk është gjithmonë shërimi, por forca për të jetuar me dritë edhe në mes të dhimbjes. Kam kuptuar se njeriu që beson, nuk pret mrekulli — ai vetë bëhet mrekulli, sepse e kthen frikën në shpresë dhe dhimbjen në forcë.

C-Solidariteti dhe humanizmi – melhemi i shpirtit tim

Në rrugën e shërimit, një rol të madh ka pasur prania e njerëzve. Një buzëqeshje, një fjalë e mirë, një dorë e zgjatur – këto janë ilaçet që nuk blihen, por vlejnë sa jeta vetë.

Nuk e kam ndier kurrë më shumë fuqinë e dashurisë njerëzore sesa në momentet kur kam qenë i dobët. Ka pasur njerëz që më kanë qëndruar pranë jo nga mëshira, por nga dashuria. Ka pasur edhe të tjerë që nuk i kisha menduar kurrë (I.Lila,R.Lila dhe F.Lutaj), e megjithatë u bënë dritë në ditët e mia të errëta.

Kjo më ka bërë të kuptoj se solidariteti i vërtetë nuk buron nga detyrimi, por nga zemra. Ai nuk matet me afërsinë fizike, por me afërsinë shpirtërore.

Kam vënë re edhe një dallim të bukur njerëzor: tek gratë shoh më shumë dashuri të butë, ndjeshmëri e përkushtim; tek burrat shoh humanizëm të heshtur, që vepron pa fjalë, por me qëndrueshmëri.

Në fund, të dyja këto forca — dashuria dhe humanizmi — janë pjesë e së njëjtës dritë që e bën njeriun më të mirë dhe botën më të jetueshme.

Sot nuk pyes më se kush më shëron më shumë: mjekësia, besimi apo dashuria njerëzore. Sepse kam kuptuar se të tria janë pjesë të së njëjtës rrugë.

Mjekësia më shëron trupin,

besimi më forcon shpirtin,

dhe dashuria njerëzore më jep kuptimin e jetës.

Në fund, kuptova diçka thelbësore: shërimi nuk vjen vetëm nga ilaçi, por nga dashuria — dashuria për veten, për njerëzit dhe për jetën.

Dhe kur më vjen lodhja apo frika, i them vetes me bindje:

 

> “Mos u dorëzo. Çdo plagë që mban në trup apo në shpirt është dëshmi e forcës sate, jo e dobësisë.”

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img