Ministri i Mjedisit i Shqipërisë, Sofjan Jaupaj, ka marrë pjesë në Forumin e Kombeve të Bashkuara për Pyjet në Nju-Jork, një platformë ndërkombëtare ku diskutohen politikat globale për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve dhe mbrojtjen e klimës.
Gjatë këtij aktiviteti, Shqipëria prezantoi vizionin e saj dhe reformat që po ndërmerren për ta shndërruar sektorin pyjor në një prioritet strategjik të zhvillimit të vendit. Sipas Jaupajt, pyjet nuk duhen parë vetëm si pasuri natyrore, por si një aset kombëtar me rëndësi të drejtpërdrejtë për klimën, biodiversitetin, ekonominë rurale dhe procesin e integrimit europian të vendit.
Në fjalën e tij dhe në një postim publik, ministri theksoi një sërë hapash që po ndërmerren nga institucionet shqiptare për reformimin e sektorit. Ndër to përfshihen krijimi i katër Agjencive Rajonale të Pyjeve, ngritja e një Ndërmarrjeje Shtetërore të Pyjeve, si dhe zbatimi i projektit EU for Forests me vlerë rreth 16 milionë euro.
Gjithashtu, reforma përfshin rivitalizimin e fidanishteve shtetërore, zhvillimin e modeleve moderne për sekuestrimin e karbonit dhe nxitjen e ekonomisë së gjelbër, si pjesë e përpjekjeve për një menaxhim më të qëndrueshëm të burimeve natyrore.
Sipas Ministrisë së Mjedisit, këto ndryshime synojnë jo vetëm mbrojtjen e pyjeve nga degradimi, por edhe krijimin e një modeli të ri zhvillimi ku mjedisi dhe ekonomia rurale ecin paralelisht, në përputhje me standardet europiane dhe angazhimet ndërkombëtare për klimën.
Ja postimi i tij ne rrjetet sociale:
“Pyjet nuk janë vetëm një pasuri natyrore, por një aset kombëtar për klimën, biodiversitetin, ekonominë rurale dhe të ardhmen europiane të vendit. Për këtë arsye, Ministria e Mjedisit ka nisur një transformim të thellë të sektorit përmes: krijimit të 4 Agjencive Rajonale të Pyjeve, ngritjes së Ndërmarrjes Shtetërore të Pyjeve, zbatimit të projektit “EU for Forests” me vlerë 16 milionë euro, rivitalizimin e fidanishteve shtetërore, zhvillimin e modeleve moderne të sekuestrimit të karbonit dhe ekonomisë së gjelbër”.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


