Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se presidenti kinez Xi Jinping dëshiron të shohë një marrëveshje të arritur lidhur me tensionet në Lindjen e Mesme dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit, një nga korridoret më të rëndësishme energjetike në botë.
Në një intervistë të regjistruar për Fox News me moderatorin Sean Hannity, Trump u shpreh se Xi kishte ofruar ndihmën e tij për të ndihmuar në uljen e tensioneve dhe për të garantuar që Ngushtica e Hormuzit të mbetet e hapur.
“Presidenti Xi do të donte të shihte një marrëveshje të arritur. Ai do të donte të shihte Ngushticën e Hormuzit të hapur”, deklaroi Trump, duke lënë të kuptohet se Kina po ndjek me shqetësim zhvillimet që mund të ndikojnë tregtinë globale dhe furnizimin me energji.
“Presidenti Xi do të donte të shihte një marrëveshje të arritur. Ai do të donte, do të donte të shihte një marrëveshje të arritur. Dhe e ofroi. Nëse mund të ndihmoj sadopak, do të doja të ndihmoja. Ai do të donte të shihte Ngushticën e Hormuzit të hapur.”
Ngushtica e Hormuzit konsiderohet një pikë strategjike jetike për transportin e naftës dhe gazit natyror, pasi një pjesë e madhe e eksporteve botërore të energjisë kalojnë përmes saj. Çdo përshkallëzim në rajon mund të ketë pasoja të menjëhershme për ekonominë globale dhe çmimet e energjisë.
Megjithatë, deklaratat e Trump u pasuan nga një ton më i rezervuar nga Sekretari Amerikan i Shtetit, Marco Rubio. Në një intervistë për NBC News, Rubio theksoi se SHBA nuk ka kërkuar ndihmën e Kinës për menaxhimin e krizës.
“Ne nuk kemi nevojë për ndihmën e tyre”, tha Rubio, duke shtuar se Uashingtoni vetëm kishte ngritur çështjen gjatë bisedimeve për të sqaruar pozicionin amerikan dhe për të siguruar që Pekini të kuptojë rëndësinë strategjike të situatës.
“E ngritëm çështjen për ta bërë të qartë se cili është qëndrimi ynë dhe për ta bërë të qartë që ata ta kuptojnë, sepse është logjike që ne do të flasim për të, duke pasur parasysh sa dominuese është kjo çështje”, tha Rubio për NBC.
Sipas tij, diskutimi me palën kineze ishte i natyrshëm për shkak të ndikimit global që mund të ketë destabilizimi i rajonit, veçanërisht për ekonomitë e mëdha që varen nga tregtia ndërkombëtare dhe furnizimet energjetike.
Deklaratat tregojnë gjithashtu një dinamikë interesante mes Uashingtonit dhe Pekinit, ku pavarësisht rivalitetit të fortë ekonomik dhe gjeopolitik, të dyja fuqitë duket se ndajnë interesin për të shmangur një krizë të madhe në Lindjen e Mesme që mund të trondiste ekonominë botërore.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


