Shqipëria ka siguruar një vend në finalen e madhe të Eurovision Song Contest 2026, pasi Alis mahniti publikun europian me interpretimin emocional të këngës “Nân” në natën e dytë gjysmëfinale në Vjenë të Austrisë.
Me një performancë të errët artistike, të ndërtuar mbi simbolikën e largimit dhe mallin për familjen, Alis solli në skenë jo vetëm një këngë, por një rrëfim prekës për plagën e emigracionit dhe dhimbjen e nënave shqiptare që presin kthimin e fëmijëve të tyre. Zëri i tij i fuqishëm dhe interpretimi i ndjerë u shoqëruan me duartrokitje të gjata dhe reagime entuziaste nga publiku në sallë dhe fansat në rrjetet sociale.
Performanca nisi me simbolikën e një piste avioni, duke përfaqësuar largimin e shqiptarëve drejt botës, ndërsa në ekranet gjigante u shfaqën imazhe të nënave nga treva të ndryshme shqiptare. Një nga momentet më të forta artistike ishte paraqitja e aktores së njohur Rajmonda Bulku, e cila i dha performancës dimension teatral dhe emocional.
Në qendër të skenografisë ishte edhe veshja e Alis, e ndërtuar me elementë modernë dhe simbolikën e shqiponjës, ndërsa kori dhe backvokalët me motive ilirike krijuan një atmosferë dramatike që u komentua gjerësisht nga ndjekësit e Eurovisionit.
Kënga “Nân” kishte marrë vëmendje të madhe edhe para gjysmëfinales, duke u cilësuar nga mediat dhe komuniteti i fansave si një nga performancat më të forta vokalisht të këtij edicioni. Në rrjetet sociale, shumë ndjekës e përshkruan interpretimin si “rrëqethës” dhe “emocionues deri në lot”.
Alis, i cili fitoi të drejtën për të përfaqësuar Shqipërinë pasi triumfoi në Festivali i Këngës 64 me “Nân”, është vlerësuar për mënyrën se si ndërthur muzikën moderne me identitetin shqiptar dhe temat sociale.
Në finalen e madhe të së shtunës, më 16 maj, Shqipëria do të rikthehet në skenën e Eurovisionit me shpresën për një rezultat historik.
Përveç Shqipërisë, nga nata e dytë gjysmëfinale u kualifikuan edhe Bullgaria, Ukraina, Australia, Rumania, Norvegjia, Malta, Qipro, Danimarka dhe Çekia. Ndërkohë, në finale janë automatikisht Austria si vend organizator, si dhe Italia, Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


