Një hetim i zhvilluar nga Prokuroria e Tiranës ka çuar në ekzekutimin e 12 masave të sigurisë ndaj punonjësve dhe drejtuesve të një dege bankare, të dyshuar për përfshirje në një skemë të organizuar përvetësimi fondesh dhe manipulimi të të dhënave bankare.
Sipas organit të akuzës, hetimet nisën pas ankesës së një klienti, i cili konstatoi se nga llogaritë e tij bankare ishin tërhequr rreth 500 mijë lekë pa dijeninë dhe autorizimin e tij. Më pas, edhe vetë banka referoi një rast tjetër të ngjashëm, ku një kliente kishte rezultuar e dëmtuar nga transaksione të paautorizuara.
Verifikimet zbuluan se në disa raste janë kryer tërheqje fondesh pa dokumentacionin përkatës, ndërsa janë regjistruar edhe veprime të paautorizuara me depozita në euro dhe dollarë, përfshirë hapjen dhe mbylljen e tyre.
Sipas dyshimeve të deritanishme, dy drejtues të degës bankare, përkatësisht drejtori dhe zëvendësdrejtori, akuzohen se kanë shfrytëzuar pozicionin e tyre dhe aksesin në sistemet e bankës për të realizuar veprime të kundërligjshme. Hetuesit dyshojnë se përmes dokumenteve të falsifikuara, ndërhyrjeve në sistem dhe transaksioneve të manipuluara, janë përvetësuar fonde që u përkisnin klientëve.
Prokuroria vlerëson se veprimet nuk janë kryer individualisht, por në bashkëpunim me punonjës të tjerë të bankës, të cilët ushtronin funksione të ndryshme si arkëtarë, supervizorë apo punonjës të shërbimit ndaj klientit.
Për dy drejtuesit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, ndërsa gjashtë punonjës të tjerë do të hetohen nën masën “Arrest në shtëpi”. Sipas hetimeve, këta persona dyshohet se kanë marrë pjesë në përpunimin dhe autorizimin e transaksioneve të paligjshme, duke shfrytëzuar aksesin që u jepte detyra e tyre.
Nga hetimi ka rezultuar se skema funksiononte në disa nivele. Punonjësit që kishin kontakt të drejtpërdrejtë me llogaritë e klientëve kryenin ndërhyrjet dhe manipulimet fillestare, ndërsa veprimet kalonin për kontroll dhe miratim nga strukturat drejtuese të degës, të cilat kishin përgjegjësinë për verifikimin dhe autorizimin përfundimtar të transaksioneve.
Ndërkohë, katër persona të tjerë janë pezulluar nga ushtrimi i detyrës, pasi dyshohet se kanë kryer veprime në kundërshtim me procedurat bankare, duke mundësuar krijimin e kushteve për realizimin e aktivitetit të paligjshëm nga personat e tjerë nën hetim.
Të gjithë të dyshuarit po hetohen për veprat penale që lidhen me vjedhjen përmes shpërdorimit të detyrës, falsifikimin e dokumenteve dhe falsifikimin kompjuterik, ndërsa hetimet vijojnë për të zbardhur plotësisht përmasat e kësaj skeme dhe dëmin e mundshëm financiar të shkaktuar.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


