Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skender Hita:
”Mbi 10 mijë llogari në rrjetet sociale review negative, për të dëmtuar reputacionin e bizneseve të turizmit. Kjo veprimtari, nëse konfirmohet nga hetimet, rrezikon të dëmtojë jo vetëm biznese të caktuara, por dhe sektorin e turizmit dhe imazhin e Shqipërisë si një vend i sigurt dhe mikpritës. Gjatë ditëve të fundit, strukturat tona të luftës kundër krimeve kibernetike kanë evidentuar një aktivitet të dyshuar të koordinuar në platformat online, i cili konsiston në publikimin masiv të vlerësimeve (reviews) dhe komenteve negative ndaj hoteleve, restoranteve dhe subjekteve të tjera që ushtrojnë aktivitet në sektorin e turizmit në Shqipëri”, tha Hita.
Në çdo demokraci funksionale, një koment negativ në internet është një mundësi për reflektim. Një restorant që merr ankesa për shërbimin përpiqet ta përmirësojë atë. Një hotel që kritikohet për pastërtinë investon që të mos e përsërisë gabimin. Kështu funksionon tregu i lirë dhe marrëdhënia mes biznesit dhe klientit.
Por në Shqipëri po shohim diçka krejt tjetër.
Në vend që bizneset të pyesin veten pse qytetarët po lënë komente negative, Policia e Shtetit njofton se po heton vetë komentuesit. Mesazhi që përcillet është shqetësues: problemi nuk qenka shërbimi apo pakënaqësia e konsumatorëve, por fakti që qytetarët po e shprehin atë publikisht.
Nëse një review është i rremë, platformat online kanë mekanizmat e tyre për ta verifikuar dhe hequr. Nëse dikush ka shpifur apo ka shkelur ligjin, ekzistojnë procedura ligjore për ta trajtuar rastin. Por kur aparati shtetëror angazhohet për të identifikuar mijëra njerëz që kanë lënë komente negative, krijohet një klimë frike që i bën qytetarët të mendojnë dy herë para se të shprehin mendimin e tyre.
Ky është një precedent i rrezikshëm.
Review-t janë pjesë e ekonomisë moderne. Ato u japin konsumatorëve mundësinë të ndajnë përvojën e tyre dhe u japin bizneseve mundësinë të përmirësohen. Nuk janë gjithmonë të drejta, nuk janë gjithmonë të këndshme, por janë pjesë e lirisë së shprehjes dhe e transparencës së tregut.
Kur shteti e trajton kritikën si një kërcënim dhe jo si një sinjal për përmirësim, lind pyetja: çfarë po mbrohet në të vërtetë? Interesi publik apo interesat e disa bizneseve të lidhura me pushtetin?
Nëse qytetarët besojnë se një biznes është pranë qeverisë dhe zgjedhin ta bojkotojnë ose ta kritikojnë, kjo është pjesë e lirisë së tyre si konsumatorë, për sa kohë nuk shkelin ligjin. Në një shoqëri demokratike, përgjigjja ndaj kritikës nuk është hetimi policor. Përgjigjja është transparenca, konkurrenca dhe përmirësimi i shërbimit.
Kur qytetarët fillojnë të kenë frikë të lënë një review negative sepse mund të përfundojnë objekt hetimi, nuk kemi më një debat të lirë. Kemi një shoqëri ku kritika shihet si armik.
Dhe kjo nuk është shenjë e një demokracie të fortë.
Është shenjë e një sistemi që ka filluar të ketë frikë nga zëri i qytetarëve.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


