Në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar u zhvillua këtë të premte seanca e parë gjyqësore në procesin ndaj ish-Presidentit të Republikës, Ilir Meta, dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Gjatë seancës, Meta u paraqit në sallën e gjyqit i vendosur në strukturën e xhamtë të sigurisë, një çështje që ka shkaktuar kundërshtime të vazhdueshme nga mbrojtja e tij ligjore. Avokatët argumentojnë se një masë e tillë cenon të drejtat themelore të të pandehurit dhe kanë kërkuar heqjen e saj.
Procesi po drejtohet nga gjyqtari Erjon Bani, i cili vendosi të mos lejojë transmetimin e drejtpërdrejtë të seancës. Sipas tij, legjislacioni në fuqi nuk parashikon praninë e kamerave gjatë zhvillimit të gjykimit dhe procesi duhet të zhvillohet në kushte që garantojnë qetësinë dhe integritetin e shqyrtimit gjyqësor.
Edhe kërkesa për regjistrimin e seancës nuk u pranua, megjithatë përfaqësuesve të mediave iu lejua të ndjekin procedurat nga salla.
Pas largimit të kamerave, seanca vijoi me verifikimin e të dhënave personale të të pandehurve. Gjatë kësaj faze, Ilir Meta deklaroi adresën e banimit të përkohshëm dhe statusin e tij civil, duke u prezantuar si i divorcuar.
“Në Tiranë banoj për momentin. Jam banues tek 313-ta. Gjendja civile jam beqar, dmth i divorcuar”, u shpreh ai.
Më pas, avokati Kujtim Cakrani riktheu në vëmendje çështjen e kafazit të xhamit, duke kërkuar që gjykata të rishqyrtojë vendimin. Ai tha se kishte adresuar shqetësimin pranë institucioneve dhe organizmave të ndryshëm, duke argumentuar se praktika bie ndesh me standardet e mbrojtjes së të drejtave të njeriut.
Pas paraqitjes së kërkesës nga mbrojtja, trupi gjykues u tërhoq për të shqyrtuar dhe marrë një vendim lidhur me këtë çështje procedurale, ndërsa seanca vijoi sipas rendit të parashikuar.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTUSA


