Protesta kundër qeverisë ka hyrë në ditën e saj të 27-të, ndërsa pjesëmarrësit kanë ripërsëritur publikisht kërkesat që, sipas tyre, mbeten të panegociueshme deri në realizimin e tyre. Këtë herë, deklarata politike u lexua nga protestuesja Arvina Lleshi, e cila përcolli kërkesat e protestës të prezantuara fillimisht nga Dritan Goxhaj.
Në fjalën e saj, Lleshi deklaroi se protesta kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit dhe të gjithë qeverisë, si dhe ngritjen e një qeverie teknike tranzitore, jopartiake, me mandat 12-mujor për administrimin e vendit.
Protestuesit kërkojnë gjithashtu ndryshime kushtetuese që, sipas tyre, do të garantonin barazinë e të gjithë shtetasve shqiptarë para ligjit. Ata propozojnë që këto ndryshime të miratohen përmes një referendumi popullor dhe të shoqërohen me reformimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimin e ligjit për financimin e partive politike dhe kufizimin e mandatit të kryeministrit në jo më shumë se dy mandate.
Një tjetër pikë e rëndësishme e platformës së protestës është kërkesa për anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura dhe në ligjin për trashëgiminë kulturore. Po ashtu, protestuesit kërkojnë shfuqizimin e paketës së maleve dhe të ligjit për investimet strategjike.
“Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në plotësimin e kërkesave,” deklaroi Arvina Lleshi para protestuesve.
Protesta vijon prej 27 ditësh radhazi, ndërsa organizatorët kanë bërë të ditur se do të vazhdojnë mobilizimin deri në arritjen e objektivave të shpallura. Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga qeveria lidhur me kërkesat e paraqitura gjatë protestës.
Ja nje pjese nga fjala e Arvina Lleshit:
“Deklaratë politike për të sqaruar protestuesit se kjo protestë kërkon: Dorëheqjen e panegociueshme të kryeministrit dhe të qeverisë, krijimin e një qeveri teknike tranzitore jo partiake me mandat 12 mujor.
Ndryshime kushtetuese ku të gjithë shtetasit shqiptarë të jenë të barabartë para ligjit dhe miratimin me referendum popullor duke përfshirë ndryshimin e Kodit Zgjedhor, ndryshimi i ligjit për financimin e partive, kufizmin e mandatit të krye në 2.
Kërkojmë anulimin e ndryshimeve të bëra në ligjin për zonat e mbrojtura, në ligjin për trashëgiminë kulturore, shfuqizimin e paketës së maleve, investimet strategjike. Këto janë kërkesat tona, legjitime dhe të panegociueshme. Ne mbetemi të vendosur në rrugën e protestës paqësore deri në plotësimin e kërkesave.”
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


