Fjalimi i Edi Ramës pas 54 ditësh protestë nuk është një reflektim mbi pushtetin, por një përpjekje për ta zhvendosur përgjegjësinë te qytetarët.
Në vend që të pranojë se mijëra njerëz dolën në bulevard për të kërkuar dorëheqjen e tij, ndalimin e projekteve të kontestuara dhe përgjegjësi për mënyrën se si qeveriset vendi, kryeministri zgjedh ta interpretojë protestën si një “pasqyrë” të pritshmërive të larta të shoqërisë. Sipas tij, problemi nuk është më korrupsioni, mungesa e besimit apo arroganca e pushtetit, por fakti që qytetarët jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë e qeverisë.
Kjo është një mënyrë e njohur për të riformuluar realitetin. Protesta nuk paraqitet si një akt politik kundër qeverisë, por si një fenomen psikologjik i një shoqërie që, sipas Ramës, nuk kënaqet më me investimet dhe statistikat.
Në pamje të parë, fjalimi tingëllon filozofik. Në thelb, ai shmang pyetjen më të rëndësishme: pse qytetarët protestuan për 54 ditë radhazi?
Nëse protesta ishte vetëm rezultat i “pritshmërive”, atëherë përse kërkesa kryesore ishte dorëheqja e kryeministrit? Përse u denoncuan aferat me tokat, projektet e diskutueshme, ndryshimet ligjore të njëpasnjëshme dhe mënyra se si vendimet merren pa dëgjuar publikun?
Në analizën e Ramës mungon një element thelbësor: përgjegjësia e pushtetit.
Ai flet për “epokën e mungesave” dhe “epokën e pritshmërive”, sikur tranzicioni i Shqipërisë të jetë një histori lineare suksesi. Por për shumë qytetarë, problemi nuk është se rrugët nuk ndërtohen apo se ekonomia nuk rritet në statistika. Problemi është mungesa e besimit se ligji zbatohet njësoj për të gjithë.
Kur një qeveri ndryshon ligje për projekte të caktuara, kur procedurat përshpejtohen sipas interesit të momentit dhe kur vendimmarrja perceptohet si e përqendruar në duart e një njeriu të vetëm, atëherë nuk mjafton të flitet për “pritshmëri”. Kërkohet llogaridhënie.
Ironia është se Rama pranon se “faktet nuk mjaftojnë më”, por nuk ndalet të pyesë nëse kjo ndodh sepse qytetarët nuk besojnë më te faktet që prodhon qeveria. Besimi nuk fitohet me prezantime apo metafora. Ai ndërtohet me institucione të pavarura, transparencë dhe përgjegjësi politike.
Edhe referenca ndaj SPAK-ut dhe hetimit të zyrtarëve të lartë ngre pikëpyetje. Është e vërtetë që sot hetohen figura që dikur konsideroheshin të paprekshme. Por kjo nuk e përjashton përgjegjësinë politike të qeverisë, përkundrazi. Nëse korrupsioni ka qenë aq i përhapur sa përfundon në hetime të nivelit të lartë, atëherë pyetja nuk është vetëm kush po hetohet, por si u krijuan kushtet që ai korrupsion të lulëzonte për vite me radhë.
Në vend të një reflektimi mbi këto çështje, kryeministri zgjedh ta paraqesë protestën si një provë se Shqipëria ka hyrë në një fazë të re zhvillimi. Por protestat e gjata në demokraci rrallë lindin sepse qytetarët janë bërë më ambiciozë. Ato lindin kur qytetarët ndihen të padëgjuar.
Pas 54 ditësh protestë, qytetarët prisnin përgjigje për kërkesat e tyre. Prisnin një shpjegim për vendimet që kanë shkaktuar revoltë, një sinjal se pushteti është i gatshëm të dëgjojë dhe, mbi të gjitha, të mbajë përgjegjësi.
Në vend të kësaj, morën një leksion mbi psikologjinë e shoqërisë.
Në demokraci, protesta nuk është një pasqyrë ku qytetarët duhet të shohin veten. Ajo është pasqyra ku pushteti duhet të shohë gabimet e veta. Dhe kur një qeveri, pas javësh të tëra protestash, arrin në përfundimin se problemi janë pritshmëritë e njerëzve dhe jo mënyra se si qeveriset vendi, atëherë rrezikon të mos ketë kuptuar mesazhin më të qartë që qytetarët kanë dhënë në bulevard.
“Mësimi i parë nga ajo protestë është se faktet tona nuk mjaftojnë më, sepse në Shqipërinë që ne transformuam rrënjësisht, njerëzit nuk jetojnë më me kënaqësinë e ndryshimeve apo me inkurajimin që u japin gjërat që ndërtohen. Ata sot jetojnë me pritshmëri që rriten më shpejt sesa mundësitë tona për t’u përgjigjur. Në një Shqipëri që zhvillohet me ritme të reja, ata e përjetojnë zhvillimin me tension, duke e krahasuar atë që shohin me atë që kanë, herë si burim pikëpyetjesh se çfarë po bëhet me vendin dhe, shpeshherë, si ndjenjë pasigurie për pjesën e tyre në një ekonomi që rritet shpejt.
Me fjalë të tjera, nuk mjafton më të qeverisim të tashmen me investime, arritje dhe integrime, por duhet të qeverisim në harmoni me përvojën e përditshme të qytetarëve, sepse zemrat dhe mendjet e tyre nuk janë më aty ku ishin dje, te çfarë ndryshon në territor, dhe nuk kanë më fare lidhje me statistikat ekonomike, sado pozitive qofshin ato. Ato janë ankoruar te pritshmëritë e tyre.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


