Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, Sali Berisha zhvilloi një takim me kongresmenin republikan Joe Wilson, bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit të Kongresit Amerikan, në kuadër të vizitës së tij në Teksas dhe pjesëmarrjes në Konventën Republikane të Mesmandatit në Dallas.
Berisha ndodhet në SHBA në një moment të rëndësishëm për Partinë Republikane amerikane. Më 9 dhe 10 shtator, në Dallas u zhvillua konventa e parë republikane e mesmandatit, një aktivitet i organizuar për të mobilizuar bazën republikane për zgjedhjet e Nëntorit dhe për të forcuar mbështetjen për Presidentin Donald Trump dhe axhendën e Partisë Republikane.
Sipas postimit të Berishës në rrjetet sociale, takimi me Wilson u përqendrua te situata politike në Shqipëri, veçanërisht te trafiku i drogës, korrupsioni, zgjedhjet dhe gjendja e të drejtave të opozitës.
Berisha tha se gjatë takimit ngriti shqetësimin për atë që ai e cilëson si “narkoshtet”, duke e lidhur trafikun e drogës dhe paratë e krimit të organizuar me funksionimin e institucioneve shtetërore dhe proceset zgjedhore. Ai akuzoi qeverinë e Edi Ramës se ka përdorur pushtetin dhe burimet shtetërore për të kontrolluar zgjedhjet dhe për të ruajtur pushtetin.
Një tjetër çështje e ngritur në takim ishte nevoja, sipas Berishës, për një qeveri teknike në Shqipëri. Kreu i opozitës argumentoi se një zgjidhje e tillë do të krijonte kushtet për një proces më të besueshëm zgjedhor dhe për rikthimin e garancive institucionale.
Në fokus ishte edhe drejtësia dhe funksionimi i institucioneve të pavarura. Berisha pretendoi se qeveria ka përqendruar pushtetin dhe se drejtësia po përdoret politikisht kundër opozitës. Ai përmendi gjithashtu rastin e zv/kryeministres Belinda Balluku dhe akuzoi kryeministrin Rama se ka ndërhyrë për të penguar hetimin ndaj saj.
Berisha tha se gjatë bisedës u diskutua edhe për qëndrimet e administratës amerikane ndaj luftës kundër trafikut të drogës dhe krimit të organizuar në rajon. Sipas tij, mesazhet e Presidentit Donald Trump dhe Sekretarit të Shtetit Marco Rubio për forcimin e luftës kundër karteleve të drogës përbëjnë një shpresë për shqiptarët.
Në fund të takimit, Berisha shprehu mirënjohjen ndaj kongresmenit Joe Wilson për interesin e tij ndaj zhvillimeve në Shqipëri dhe rajon.
Takimi në Teksas merr një rëndësi të veçantë edhe për faktin se Wilson ka një rol të rëndësishëm në politikën amerikane ndaj çështjeve të demokracisë, sigurisë dhe të drejtave të njeriut. Ai është bashkëkryetar i Komisionit të Helsinkit dhe anëtar i rëndësishëm i Komisionit të Jashtëm të Dhomës së Përfaqësuesve.
Për Berishën, vizita në SHBA nuk është thjesht një pjesëmarrje në një aktivitet politik amerikan. Ajo po përdoret edhe si një mundësi për të paraqitur para zyrtarëve dhe figurave politike amerikane shqetësimet e opozitës shqiptare dhe për të kërkuar vëmendje më të madhe amerikane ndaj zhvillimeve politike, zgjedhore dhe institucionale në Shqipëri.
Në këtë kuadër, takimi me Joe Wilson e vendos edhe një herë Shqipërinë në bisedat politike të zhvilluara në SHBA, në një kohë kur marrëdhëniet shqiptaro-amerikane dhe lufta kundër krimit të organizuar mbeten pjesë e rëndësishme e diskutimeve për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.
Postimi i plotë
Takim me Kongresmenin Joe Wilson, kryetar i Komisionit te Helsinkit të kongresit të SHBA: Diskutuam, mbi pasojat e narkoshtetit dhe farsës zgjedhore nevoja për qeveri teknike në Shqipëri dhe gjendjen e të drejtave të njeriut në Shqipëri. Gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, i shoqëruar nga Kryetari i Partisë Republikane të Shqipërisë, Fatmir Mediu, pata kënaqësinë të zhvilloja një takim të rëndësishëm me kryetarin e Komisionit të Helsinikit të Kongresit të SHBA. Diskutimi ynë u përqendrua në problemet madhore me të cilat përballet Shqipëria, kryesisht trafiku i drogës dhe narkoshteti, korrupsionin galopant qeveritar dhe ndikimi i tyre i drejtpërdrejtë në shndërrimin e zgjedhjeve në farsë zgjedhore. Lufta ndaj karteleve të drogës dhe ndikimi te zgjedhjet u trajtuan gjerësisht në këtë takim.
Gjatë takimit u vu theksi te qëndrimet e shprehura nga Presidenti Donald Trump dhe Sekretari i Shtetit Marco Rubio, sipas të cilëve partneriteti strategjik me Shqipërinë synon në radhë të parë luftën pa kompromis ndaj trafikut dhe karteleve të drogës janë një shpresë për shqiptaret. U denoncua fakti se krimi i organizuar dhe paratë e drogës të lidhura me nivelet më të larta të qeverisjes po përdoren nga administrata dhe qeveria e sotme e Edi Ramës për të manipuluar zgjedhjet, për të kontrolluar pushtetin dhe për të pastruar paratë e drogës.
E njohëm kongresmenin amerikan me situatën jashtëzakonisht të vështirë ku ndodhet vendi. Kryeministri Rama ka shkatërruar Kushtetutën dhe të gjitha institucionet e pavarura, duke përqendruar në duart e tij një pushtet absolut që prodhon korrupsion absolut. Po ashtu, ngritëm shqetësimin se të drejtat e opozitës në Parlament shkelen dhe nuk respektohen.
Kryeministri kontrollon plotësisht drejtësinë dhe e përdor atë si armë politike kundër opozitës me qëllim mbajtjen e pushtetit. Ai refuzoi t’i heq imunitetin zv/kryeministres Balluku duke i bllokuar kështu haptas drejtesinë dhe luftën kundër korrupsionit. Në këtë takim e falenderuam Kongresmenin Joe Wilson për interesin e tij për gjendjen në Shqipëri dhe qëndrimet e tij të lidhura me zhvillimet në rajon.

Foto nga profili i Sali Berisha
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


