24.1 C
Sterling Heights
31/08/2026, 12:34
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

PD kërkon seancë urgjente në Këshillin Bashkiak: “Kush e drejton Bashkinë e Tiranës dhe kush ka të drejtë të firmosë?”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetPD kërkon seancë urgjente në Këshillin Bashkiak: “Kush e drejton Bashkinë e...

Këshilltarja e Partisë Demokratike në Bashkinë e Tiranës, Ilda Zhulali, ka kërkuar thirrjen urgjente të Këshillit Bashkiak për të sqaruar situatën ligjore dhe institucionale lidhur me drejtimin e bashkisë.

Në një kërkesë drejtuar kryetares së Këshillit Bashkiak, Zhulali ngre shqetësimin për raportimet se Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim, ka marrë një vendim për shkarkimin e Anuela Ristanit nga detyra e kryetares së komanduar/ushtruese e detyrës së Bashkisë Tiranë.

Sipas Zhulalit, zhvillimi ka krijuar pikëpyetje mbi drejtimin aktual të institucionit dhe mbi vlefshmërinë e akteve që mund të ndërmerren në emër të bashkisë.

Këshilltarja demokrate kërkon të bëhet e ditur nëse ekziston një dokument zyrtar për shkarkimin e Ristanit, kur është firmosur dhe protokolluar ai, si dhe kush e ushtron aktualisht në mënyrë ligjore funksionin drejtues të Bashkisë së Tiranës.

Një tjetër çështje që kërkon sqarim lidhet me autoritetin për të firmosur kontrata, marrëveshje financiare dhe akte administrative që kanë ndikim mbi buxhetin e bashkisë.

Zhulali kërkon gjithashtu informacion mbi ekzistencën e një zinxhiri të qartë komandimi brenda institucionit dhe dokumentacionin që e provon atë. Ajo kërkon të dijë edhe se çfarë masash janë marrë për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit normal të bashkisë.

Në qendër të kërkesës është edhe një pikë tjetër e ndjeshme: nëse Bashkia e Tiranës e njeh zyrtarisht firmën e Erion Veliajt si shprehje të një vullneti legjitim vendimmarrës.

Zhulali kujton se një situatë e ngjashme ishte krijuar disa muaj më parë, kur Ristani ishte larguar nga funksioni dhe në vend të saj ishte emëruar një tjetër drejtues, për të cilin, sipas saj, nuk kishte pasur një sqarim zyrtar.

Krahas çështjes së drejtimit të bashkisë, kërkesa e PD-së përfshin edhe situatën financiare të operatorëve të transportit publik urban.

Zhulali i referohet paralajmërimeve të shoqatave të transportit mbi rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës dhe kërkon nga Bashkia e Tiranës të sqarojë arsyet që kanë çuar në këtë situatë.

Ajo kërkon të dijë se kush po zhvillon aktualisht komunikimet dhe negociatat me operatorët e transportit publik dhe institucionet qendrore, si dhe cilat masa konkrete po ndërmerren për të shmangur reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim.

Në kërkesë kërkohet gjithashtu informacion mbi çdo komunikim zyrtar të zhvilluar deri tani për këtë çështje dhe vënia në dispozicion e dokumentacionit përkatës.

Në përfundim, këshilltarja demokrate kërkon thirrjen e një seance urgjente ose të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak të Tiranës, me dy çështje kryesore në rend dite: situatën e drejtimit të bashkisë dhe problemet e paralajmëruara në transportin publik urban.

Zhulali kërkon përgjigje me shkrim për secilën prej pikave të ngritura, brenda afateve ligjore, si dhe akses në dokumentacionin administrativ, institucional dhe financiar që lidhet me këto çështje.

Sipas saj, Këshilli Bashkiak dhe qytetarët duhet të kenë qartësi mbi autoritetin që drejton bashkinë, administron buxhetin dhe garanton funksionimin e shërbimeve publike.

Kërkesa e PD-së e vendos kështu Bashkinë e Tiranës përballë nevojës për të dhënë sqarime mbi dy çështje që prekin drejtpërdrejt funksionimin e kryeqytetit: kush ka sot kompetencën për të drejtuar dhe marrë vendime në emër të bashkisë dhe nëse shërbimi i transportit publik rrezikon të preket nga vështirësitë financiare të operatorëve.

Reagimi i plotë:

E nderuar Zj. Kryetare,

I. Përmes medias jam njohur me lajmin se Erion Veliaj, aktualisht në gjendje paraburgimi, ka shkarkuar për herë të dytë brenda pak muajsh znj. Anuela Ristani nga funksioni i kryetares së komanduar/ushtruese të detyrës së Bashkisë Tiranë. Ky lajm ka krijuar pasiguri të plotë ligjore dhe publike mbi drejtimin aktual të Bashkisë Tiranë, dhe kërkon sqarim të menjëhershëm dhe zyrtar përpara Këshillit Bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës.

Në këtë kuadër, kërkoj të informohem zyrtarisht dhe në mënyrë shterruese mbi sa vijon:

1. Njohjen me shkresën zyrtare përmes së cilës është kryer ky shkarkim i dytë, dhe kohën kur është firmosur dhe protokolluar ajo?

2. Kush ushtron aktualisht, në mënyrë të ligjshme dhe zyrtare, funksionin e kryetarit/es të Bashkisë Tiranë, apo të ushtruesit/es të detyrës, pas lajmit të shkarkimit të znj. Anuela Ristani?

3. Kush ka aktualisht autoritetin institucional për të negociuar, vendosur dhe firmosur në emër të Bashkisë Tiranë, përfshirë kontrata, marrëveshje financiare, akte administrative dhe vendime me efekt mbi buxhetin e bashkisë?

4. A ekziston sot një zinxhir i qartë dhe i pandërprerë komandimi institucional brenda Bashkisë Tiranë, dhe nëse po, kërkoj të na vihet në dispozicion dokumentacioni zyrtar përkatës?

5. Cilat masa janë marrë apo parashikohet të merren për të garantuar vazhdimësinë e funksionimit normal institucional të bashkisë, në kushtet e kësaj paqëndrueshmërie drejtuese?

6.A njihet zyrtarisht prej Bashkisë Tiranë firma e Erion Veliaj si vullnet legjitim vendimmarrës?

Kujtoj se një situatë e ngjashme  u krijua disa muaj më herët, kur u shkarkua znj.Ristani dhe në vend të saj u emërua znj.Goxhaj, për të cilën nuk pati asnjëherë një përgjigje zyrtare!!

II. Paralelisht, përmes medias jam njohur me paralajmërimin e Shoqatës Kombëtare te Transportit Qytetas dhe Shoqatës se Transportit Urban dhe Interurban, datë 11 gusht 2026, mbi rrezikun e reduktimit të kapaciteteve të flotës së transportit publik.

Duke patur parasysh rëndësinë dhe peshën e këtij shërbimi për jetën e përditshme të banorëve të Tiranës, si dhe personave të tjerë (vendas apo të huaj) që përdorin transportin publik, kërkoj sqarime zyrtare mbi sa vijon:

7. Cilat janë arsyet konkrete të krizës financiare të operatorëve të transportit publik urban?

8. Kush është aktualisht, në emër të Bashkisë Tiranë, në kontakt dhe/ose negociata me Shoqatën Kombëtare të Transportit Qytetas dhe Shoqatën e Transportit Urban dhe Interurban, dhe me institucionet qendrore përgjegjëse?

9. Cilat masa konkrete po ndërmerren nga Bashkia Tiranë për të parandaluar reduktimin e numrit të autobusëve në qarkullim dhe për të garantuar vijimësinë normale të shërbimit të transportit publik?

10. A është realizuar ndonjë komunikim zyrtar deri më sot mbi këtë çështje, dhe nëse po, kërkoj kopje të korrespondencës përkatëse.

Në bazë të sa më sipër, kërkoj

1. Thirrjen e një seance urgjente/të jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Tiranë, me rend të ditës situatën e drejtimit të Bashkisë Tiranë dhe krizën e paralajmëruar të transportit publik urban.

2. Përgjigje zyrtare me shkrim ndaj çdo pike të ngritur, brenda afateve të parashikuara nga ligji dhe rregullorja e Këshillit Bashkiak.

3. Vënien në dispozicion të çdo dokumentacioni zyrtar mbështetës, përfshirë akte administrative, korrespondencë institucionale dhe informacion financiar përkatës.

Qytetarët dhe Këshilli Bashkiak i Tiranës kanë të drejtën ligjore dhe legjitime të dinë se kush drejton institucionin që administron buxhetin dhe shërbimet e kryeqytetit, dhe të kenë siguri se vazhdimësia e shërbimeve publike thelbësore, si transporti urban, nuk rrezikohet nga kaosi institucional.

Në pritje të një përgjigjeje të shpejtë, duke ju falënderuar,

Ilda Zhulali

Këshilltare

Nënkryetare e Grupit

Partia Demokratike

Foto nga Google Images

Artikulli pregatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img