11.1 C
Sterling Heights
15/10/2026, 9:44
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Kumbaro u bën thirrje prindërve mes protestave të studentëve dhe gjimnazistëve: “Të mos lejojmë që fëmijët tanë të përdoren për qëllime të errëta”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetKumbaro u bën thirrje prindërve mes protestave të studentëve dhe gjimnazistëve: “Të...

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, ka reaguar përmes një videomesazhi pas tri ditësh protestash të studentëve dhe gjimnazistëve në Tiranë dhe në disa qytete të Shqipërisë, duke u bërë thirrje prindërve, mësuesve dhe komunitetit të bashkëpunojnë për të mbrojtur të rinjtë nga përfshirja në situata të dhunshme.

Në mesazhin e saj, Kumbaro theksoi se mësimi vijon normalisht në shumë shkolla dhe se mësuesit janë në krye të detyrës. Ajo shprehu shqetësimin për përfshirjen e të miturve në përplasjet që kanë shoqëruar protestat, duke kërkuar që prindërit të tregojnë kujdes për sigurinë e fëmijëve të tyre.

“Të dashur prindër dhe nxënës, studentë dhe mësues, në këtë orë kur shohim përmes ekraneve lëvizje kaotike të nxënësve, sidomos të atyre të miturve, dua të ndaj me ju një thirrje për bashkëpunim si ministre e Arsimit, por edhe si nënë”, u shpreh ministrja.

Duke iu referuar dëmeve të shkaktuara gjatë protestave në godina publike dhe biznese private, Kumbaro përdori shprehjen “duar të errëta”, duke lënë të kuptohet se, sipas saj, të rinjtë mund të përdoren për qëllime që shkojnë përtej kërkesave të tyre.

“Ndërkohë që ‘duart e errëta’ hedhin tymin e errët të shashkave të shkatërrimit, qoftë në pronat publike apo në bizneset private, nuk duhet të lejojmë të gjithë bashkë që fëmijët tanë të jenë viktima të kësaj tymnaje”, deklaroi ajo.

Ministrja u ndal edhe te raporti mes së drejtës për protestë dhe akteve të dhunës, duke theksuar se të rinjtë duhet të kenë mundësi të shprehin pakënaqësitë e tyre, por përmes komunikimit dhe dialogut.

“Nuk janë studentët, nuk janë nxënësit ata që shkatërrojnë. Nuk janë nxënësit, nuk janë studentët ata që thyejnë bizneset me të cilat mbahen mijëra familje, përfshi dhe familjet e vetë fëmijëve tanë”, u shpreh Kumbaro.

Ajo bëri të ditur se Ministria e Arsimit është në komunikim me shkollat dhe universitetet, ndërsa u kërkoi prindërve dhe arsimtarëve të bashkëpunojnë për të garantuar sigurinë fizike të të rinjve.

“T’i dëgjojmë ata, t’u japim mundësinë të flasin jo përmes shkatërrimit, por përmes komunikimit, ju si prindër edhe ne si arsimtarë”, tha ministrja.

Në përfundim të videomesazhit, Kumbaro iu drejtua edhe mediave, shoqërisë civile dhe komuniteteve, duke kërkuar që të gjithë të angazhohen për të mos lejuar, sipas saj, përdorimin e fëmijëve për qëllime destabilizuese.

“Ju lutem, në radhë të parë si prindër, por edhe si qytetarë të këtij vendi, të mos lejojmë që fëmijët tanë të përdoren për qëllime të errëta të duarve të liga që kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë”, përfundoi ajo.

Reagimi i ministres vjen në ditën e tretë të protestave, ku studentëve u janë bashkuar edhe gjimnazistë. Protestat janë shoqëruar me përplasje me policinë dhe dëmtime të pronës publike e private. Organizatorët dhe studentët kanë ngritur shqetësime që lidhen me kushtet në universitete, kostot e arsimit, mbështetjen financiare dhe perspektivën e punësimit pas diplomimit.

E drejta e të rinjve për të protestuar dhe për të kërkuar përmirësimin e kushteve të arsimimit mbetet një çështje qendrore në këtë përballje. Thirrjet për shmangien e dhunës shoqërohen me nevojën që shqetësimet e studentëve dhe gjimnazistëve të dëgjohen dhe të marrin përgjigje konkrete nga institucionet përgjegjëse.

Ja postimi i plote i saj: 


”T’i dëgjojmë ata, t’ju japim mundësinë të flasim jo përmes shkatërrimit, por përmes komunikimit, ju si prindër edhe ne si arsimtarë. Ndërkohë që flasim, arsimtarët dhe mësuesit janë në krye të detyrës, janë nëpër shkolla, janë duke mbyllur orarin ditor të mësimit. Prandaj vetëm komunikimi në të gjitha rrugët përfshi edhe këtë mesazh të shkurtër, është rruga më e mirë e bashkëpunimit që dhe fëmijët të kenë të gjithë të drejtën të shprehen edhe të drejtën të protestojnë në mënyrë keq legjitime, por ta bëjnë atë ashtu sikurse ju i keni mësuar, ashtu sikurse ne bashkë e ndërtojmë komunikimin në të gjithë programet tona. Prandaj e kërkoj këtë bashkëpunim duke mirëkuptuar shqetësimin tuaj dhe shqetësimin e të gjithë mësuesve që janë ata që kujdesen për dijet, mos t’i humbasim shkollës qëllimin kryesor të ekzistencës së saj, të vatrës së dijes. Të dashur prindër, të dashur mësues, të gjithë bashkë, por i drejtohem edhe shoqërisë, edhe mediave, edhe shoqërisë civile, edhe lagjeve dhe komunitetit: Ju lutem në radhë të parë si prindër, por edhe si qytetarë të këtij vendi, të mos lejojmë që fëmijët tanë të përdoren për qëllime të errëta të duarve të liga që kërkojnë destabilizimin e Shqipërisë. I kemi ndërtuar gjithmonë gjërat me dialog dhe komunikim dhe do të jemi në vazhdimësi çdo orë këtu për t’ju përgjigjur.”

Foto nga Google Images

Artikulli krijuar nga ACTVUSA

 

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img