7.7 C
Sterling Heights
10/11/2026, 10:58
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

NGA BURGU I FIERIT NË ASAMBLENË E PS-së! Erion Veliaj i shkruan SPAK-ut dhe Blendi Klosit: Dua të marr pjesë fizikisht ose me videokonferencë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetNGA BURGU I FIERIT NË ASAMBLENË E PS-së! Erion Veliaj i shkruan...

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kërkon të jetë pjesë e mbledhjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila është parashikuar të zhvillohet më 14 Nëntor 2026.

Nga paraburgimi në Fier, Veliaj ka dërguar më 10 Nëntor një kërkesë zyrtare drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të PS-së, Blendi Klosi, dhe prokurorit të çështjes pranë SPAK-ut, ku kërkon t’i krijohen mundësitë për të marrë pjesë në këtë mbledhje, qoftë fizikisht, qoftë përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me videokonferencë.

Në shkresën e tij, Veliaj argumenton se masa e sigurimit personal “arrest në burg” i kufizon lirinë e lëvizjes, por nuk duhet të nënkuptojë humbjen automatike të të drejtave politike dhe statutore që ai pretendon se vazhdon të gëzojë brenda Partisë Socialiste.

Në letër, ai rendit funksionet që mban në strukturat e partisë, duke theksuar se është anëtar i Asamblesë Kombëtare, anëtar i Kryesisë së PS-së, drejtues politik i qarkut Tiranë dhe kryetar i Partisë Socialiste për Tiranën, krahas funksionit të tij si kryetar i zgjedhur i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj kërkon jo vetëm të jetë i pranishëm gjatë mbledhjes, por edhe të ketë mundësinë të marrë fjalën, të paraqesë propozime dhe të marrë pjesë në vendimmarrje.

“Pjesëmarrja ime në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi të veçantë, pasi synoj të paraqes personalisht qëndrimet, propozimet dhe kërkesat e mia për çështje që lidhen me funksionimin e Partisë Socialiste, ushtrimin e përgjegjësive të organeve të saj dhe të ardhmen e organizatës politike ku bëj pjesë”, shkruan Veliaj në kërkesën e tij.

Ai i kërkon Blendi Klosit që të ndërmarrë masat organizative dhe teknike për të garantuar pjesëmarrjen e tij, ndërsa kërkon të njoftohet zyrtarisht edhe për orën, vendin, rendin e ditës dhe dokumentet që do të shqyrtohen në mbledhje.

Një nga alternativat që propozon është organizimi i një lidhjeje audiovizive nga ambientet e IEVP Fier, në mënyrë që të mund të ndjekë diskutimet dhe të ndërhyjë drejtpërdrejt gjatë punimeve të Asamblesë.

Në kërkesën drejtuar SPAK-ut, Veliaj kërkon shqyrtimin urgjent të mundësisë ligjore për pjesëmarrjen fizike dhe, në rast se kjo nuk mund të realizohet, mundësimin e pjesëmarrjes në distancë.

Ai këmbëngul se videokonferenca nuk do të kërkonte largimin e tij nga institucioni i paraburgimit dhe as ndryshimin e masës së sigurisë.

“Kërkesa ime nuk synon ndryshimin, pezullimin apo shmangien e masës së sigurimit personal. Ajo synon vetëm gjetjen e një mënyre proporcionale për ushtrimin e një të drejte politike dhe statutore, pa cenuar qëllimet e ligjshme të paraburgimit”, thuhet në shkresë.

Veliaj shkon edhe më tej, duke kërkuar që çdo refuzim i mundshëm të mbështetet në një bazë konkrete ligjore dhe të arsyetohet, ndërsa pjesëmarrja me videokonferencë të merret në konsideratë si një alternativë më pak kufizuese.

Në fund të kërkesës, ai nënvizon urgjencën e marrjes së një vendimi, pasi mbledhja është caktuar për 14 Nëntor dhe mungesa e një përgjigjeje në kohë do ta bënte të pamundur pjesëmarrjen e tij.

“Privimi nga liria nuk duhet të shndërrohet, përtej kufizimeve të domosdoshme dhe të ligjshme, në përjashtim nga jeta politike dhe nga ushtrimi i funksioneve statutore që vazhdoj të mbaj”, shkruan Veliaj.

Kërkesa e tij vendos në vëmendje një situatë të pazakontë për Partinë Socialiste: një prej figurave të saj drejtuese kërkon të marrë pjesë në një mbledhje të rëndësishme politike, ndërkohë që ndodhet në paraburgim dhe pret një vendimmarrje nga autoritetet kompetente.

Mbetet për t’u parë nëse SPAK-u dhe autoritetet e burgjeve do të japin miratimin për pjesëmarrjen fizike apo nëse do të gjendet një zgjidhje përmes videokonferencës, si dhe çfarë përgjigjeje do t’i japë kërkesës Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Blendi Klosi.

Foto nga Google Images

Artikulli përgatitur nga ACTVUSA

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img