Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka deklaruar se opozita nuk do të pranojë që interpelancat e kërkuara me Kryeministrin të zhvillohen nga ministra të deleguar prej tij. Gjatë një mbledhjeje me deputetët demokratë, Berisha vendosi këtë si kusht për miratimin e rregullores së re të Kuvendit, e cila prej ditësh po negociohet mes palëve për të arritur një draft të përbashkët.
Sipas Berishës, Kushtetuta e përcakton qartë detyrimin e Kryeministrit dhe ministrave për t’u paraqitur në interpelancë kur kjo kërkohet nga deputetët.
“Në qoftë se neni 80 i Kushtetutës përcakton se kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të paraqiten në interpelancë kur kërkohet nga deputetët, asnjë deputet nuk do të pranojë delegimin e interpelancës nga kryeministri”, u shpreh ai.
Kreu demokrat theksoi se opozita kërkon respektimin e plotë të rolit kushtetues të Kuvendit dhe të së drejtës së deputetëve për të kërkuar llogari drejtpërdrejt nga kreu i qeverisë.
Nga ana tjetër, Berisha vlerësoi punën e bërë deri tani nga komisioni i posaçëm për reformën territoriale, duke paralajmëruar se Partia Demokratike do të publikojë së shpejti propozimin e saj për hartën e re administrative të vendit.
Sipas tij, PD synon të paraqesë një ndarje territoriale që i shërben më mirë qytetarëve dhe zhvillimit lokal, duke u mbështetur në ekspertizën ndërkombëtare dhe praktikat evropiane.
“Ne jemi të vendosur të paraqesim, në përputhje me interesat e tyre, hartën më të mirë, ndarjen territoriale më në interes të qytetarëve. Dhe këtë na e bën të mundur plotësisht ekspertiza e jashtëzakonshme që ka Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale pranë Këshillit të Evropës, praktika shumë e pasur e vendeve evropiane, të cilat kanë komuna nga 80 banorë në 1 milion banorë”, deklaroi Berisha.
Debati për rregulloren e Kuvendit dhe reformën territoriale pritet të jetë një nga temat kryesore politike në javët në vijim, ndërsa mazhoranca dhe opozita vijojnë negociatat për çështje që lidhen me funksionimin e institucioneve dhe organizimin administrativ të vendit.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


