Një deklaratë e Ministrit të Jashtëm shqiptar, Ferit Hoxha, ka shkaktuar debat politik dhe diplomatik lidhur me të ardhmen e marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë për qendrat e pritjes së emigrantëve në Gjandër.
Gjatë një prononcimi për median europiane Euractiv nga Brukseli, Hoxha u shpreh se marrëveshja mes dy vendeve ka një afat pesëvjeçar dhe la të kuptohet se ajo mund të mos rinovohet në të ardhmen. Ai deklaroi se, sipas tij, Shqipëria pritet të jetë pjesë e Bashkimit Europian pas këtij afati, duke nënkuptuar se rrethanat mund të ndryshojnë.
“Marrëveshja ka një afat pesëvjeçar dhe nuk jam i sigurt se do të ketë rinovim. Dhe gjithsesi nuk do të ketë asnjë rinovim sepse do të jemi anëtarë të Bashkimit Europian.”
Deklarata u interpretua në Itali si një sinjal për mbylljen e projektit të shumëdiskutuar të qeverisë së Giorgia Melonit për transferimin e emigrantëve në territorin shqiptar. Mediat italiane raportuan reagime të menjëhershme nga figura politike dhe kritikë të projektit, të cilët e konsideruan këtë zhvillim si një tregues të pasigurisë së marrëveshjes.
Pas jehonës që mori deklarata, Kryeministri Edi Rama reagoi publikisht duke sqaruar se marrëveshja me Italinë mbetet në fuqi dhe se nuk ka asnjë vendim për ndërprerjen e saj. Rama tha se deklarata e ministrit ishte interpretuar në mënyrë të gabuar dhe ritheksoi se bashkëpunimi me Italinë do të vazhdojë për aq kohë sa të dyja palët e konsiderojnë të nevojshëm.
“Marrëveshja me Italinë është bërë për të qëndruar, për sa kohë Italia e dëshiron.”
Edhe Ministri i Jashtëm italian, Antonio Tajani, reagoi me tone diplomatike pasi u pyet nga gazetarët për deklaratat e homologut shqiptar. Tajani tha se gjatë takimit me Hoxhën nuk ishte diskutuar një çështje e tillë dhe nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të forta.
“Nuk më tha asgjë, por ka bashkëpunim të madh.’ Duke e mbajtur tonin të qetë, ministri italian shtoi: ‘Viti 2030 është larg, le të mendojmë për atë që duhet të bëjmë tani.”
Debati vjen në një moment kur marrëveshja Shqipëri-Itali për emigrantët vazhdon të jetë një nga temat më të diskutuara si në politikën shqiptare, ashtu edhe në atë italiane, duke nxitur përplasje mes mbështetësve dhe kundërshtarëve të projektit.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


