I nominuari i presidentit amerikan Donald Trump për ambasador të Shteteve të Bashkuara në Shqipëria, Eric Wendt, ka prezantuar prioritetet e tij gjatë dëgjesës në Senatin amerikan, duke theksuar se fokusi kryesor do të jetë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave të SHBA-së në rajon.
Gjatë fjalës së tij, Wendt deklaroi se nëse konfirmohet në detyrë, administrata amerikane do të ndjekë katër linja kryesore veprimi për të zhvilluar më tej planin e ambasadës amerikane në Shqipëri.
“Linja e parë do të shqyrtojë mënyra për ta bërë Amerikën më të sigurt, duke mbështetur Shqipërinë teksa vazhdon luftën kundër korrupsionit, si edhe kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës”, u shpreh ai.
Wendt vuri theksin edhe te partneriteti mes dy vendeve në kuadër të NATO, duke vlerësuar kontributin e trupave shqiptare në misionet ndërkombëtare. Ai tha se ka pasur mundësinë të bashkëpunojë me ushtarët shqiptarë gjatë operacioneve të NATO-s dhe i cilësoi ata si profesionistë të përkushtuar.
Në një moment simbolik të fjalës së tij, Wendt deklaroi se ushtarët shqiptarë “mishërojnë shpirtin besnik të heroit Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, duke vlerësuar gjithashtu popullin shqiptar si krenar, punëtor dhe mikpritës.
I nominuari për ambasador shprehu mbështetje të qartë për reformën në drejtësi në Shqipëri dhe për punën e SPAK. Sipas tij, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar mbetet një prioritet strategjik për Shtetet e Bashkuara.
Deklaratat e Wendt konsiderohen si një sinjal i vazhdimit të mbështetjes amerikane ndaj institucioneve të drejtësisë në Shqipëri, në një kohë kur vendi vijon përpjekjet për forcimin e shtetit ligjor dhe avancimin e reformave të kërkuara në procesin e integrimit europian.
“Nëse konfirmohem, prioritetet e mia kryesore do të jenë mbrojtja e qytetarëve amerikanë dhe avancimi i interesave amerikane. Nëse konfirmohem në detyrë, ne do të përdorim katër linja veprimi ndërsa vlerësojmë rrugën përpara për të zhvilluar më tej planin e ambasadës për vendin. Linja e parë do të shqyrtojë mënyra për ta bërë Amerikën më të sigurt, duke mbështetur Shqipërinë teksa vazhdon luftën kundër korrupsionit, si edhe kundër krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikut të drogës”,-tha Wendt.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


