Evis Sala jep dorëheqjen nga detyra e Ministres së Shëndetësisë: “Angazhimet e mia ndërkombëtare janë në fushën time të ekspertizës”
Evis Sala ka dhënë dorëheqjen nga detyra e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, pas rreth një viti në drejtimin e këtij dikasteri.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Sala përmes një videomesazhi, ku ka shpjeguar arsyet e largimit nga qeveria. Ajo deklaroi se ka pranuar disa angazhime të rëndësishme ndërkombëtare në fushën e saj të ekspertizës, të cilën e përkufizoi si një ndërthurje mes onkologjisë, inteligjencës artificiale dhe inovacionit.
“Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar”, u shpreh Sala, duke theksuar se vendimi për largimin nga detyra lidhet me angazhimet e saj të reja profesionale.
Sala mori drejtimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale një vit më parë, në një periudhë me sfida të shumta për sistemin shëndetësor dhe sektorin e mirëqenies sociale.
Në mesazhin e saj, ajo shprehu mirënjohjen ndaj Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen gjatë periudhës së saj në detyrë. Falënderime të veçanta pati edhe për mjekët, infermierët, profesionistët dhe punonjësit e sistemit shëndetësor, të cilët, sipas saj, kanë punuar çdo ditë për përmirësimin e sistemit.
“Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh”, tha Sala.
Duke bërë bilancin e një viti në krye të ministrisë, ajo deklaroi se gjatë kësaj periudhe janë ndërmarrë hapa të rëndësishëm në sektorin e shëndetësisë. Sipas saj, disa prej ndryshimeve janë tashmë të dukshme, ndërsa të tjera janë ende në fazat e para.
Pavarësisht largimit nga detyra publike, Sala tha se angazhimi i saj ndaj Shqipërisë do të vijojë edhe në të ardhmen, përmes ekspertizës dhe rrjetit të saj profesional ndërkombëtar.
“Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar”, u shpreh ajo.
Në përfundim të mesazhit, Sala theksoi se një detyrë publike mund të ketë një fillim dhe një fund, por përgjegjësia ndaj vendit nuk kufizohet nga një post institucional.
“Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund. Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij”, përfundoi ajo.
Postimi i plotë
Sot ishte mbledhja ime e fundit si anëtare e kabinetit qeveritar, pasi kam pranuar disa angazhime ndërkombëtare të rëndësishme në fushën time të ekspertizës: onkolologji – inteligjencë artificiale – inovacion.
Një vit më parë mora përsipër me përgjegjësi të madhe detyrën e Ministres së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, një fushë plot sfida e vështirësi.
I jam mirënjohëse Kryeministrit Edi Rama për besimin dhe mbështetjen, si dhe çdo mjeku, infermieri, profesionisti dhe punonjësi të sistemit të shëndetësisë e mirëqenies sociale që punoi çdo ditë për ta bërë sistemin më të mirë.
Një falenderim të veçantë për çdo qytetar shqiptar që më shkroi, sugjeroi apo kërkoi më shumë prej nesh.
Në këtë vit kemi bërë hapa të rëndësishëm në shëndetësi. Shumë prej tyre janë të dukshëm sot, të tjerë sapo kanë nisur.
Angazhimi im për Shqipërinë nuk lidhet me një post. Ai është pjesë e asaj që jam dhe do të vazhdojë përmes dijes, eksperiencës dhe rrjetit tim profesional ndërkombëtar.
Sepse detyrat kanë një fillim dhe një fund.
Por, përgjegjësia dhe lidhja me vendin tënd nuk kanë kufij!
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


