Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka akuzuar qeverinë se po përdor projektet zhvillimore si mekanizma për korrupsion dhe abuzim me fondet publike.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, Noka u ndal te projekti “Porta e Alpeve”, për të cilin deklaroi se nuk synon zhvillimin e veriut, por sipas tij, përgatitjen e një tjetër afere korruptive me vlerë rreth 100 milionë euro.
Deputeti demokrat tha se mazhoranca po prezanton projekte të mëdha për të krijuar entuziazëm publik, ndërsa në realitet, sipas tij, pas tyre fshihen interesa financiare dhe përfitime korruptive.
Noka akuzoi gjithashtu qeverinë se e ka kthyer Shqipërinë në një “narko-shtet”, duke pretenduar se arritjet kryesore të saj lidhen me korrupsionin dhe trafikun e drogës.
Në fjalën e tij, ai bëri edhe krahasime mes kostove të ndërtimit të rrugëve në Shqipëri dhe vendeve të rajonit. Sipas Nokës, ndërtimi i rrugëve në Shqipëri ka kosto shumë më të larta krahasuar me vende si Greqia.
Sekretari i përgjithshëm i PD-së kritikoi edhe projekte të tjera të qeverisë, si “Rilindja Urbane”, “100 Fshatrat” dhe “Paketa e Maleve”, duke i cilësuar si iniciativa që, sipas tij, janë përdorur për përfitime korruptive dhe jo për zhvillimin real të zonave rurale apo veriore.
Ai shtoi se veriu i vendit vazhdon të përballet me shpopullim, mungesë investimesh dhe probleme infrastrukturore, ndërsa akuzoi qeverinë se po përdor projektet publike më shumë për propagandë sesa për zgjidhjen e problemeve të qytetarëve.
“Në Greqi ndërtimi i rrugëve kushton 4,5 milionë euro për kilometër, ndërsa këtu në mes të Tiranës shkon 23 milionë euro kilometri. ‘100 Fshatrat’ dhe ‘Paketa e Maleve’ janë nisma për vjedhur, pasi këto projekte janë përdorur për përfitime korruptive dhe jo për zhvillimin e zonave rurale apo të veriut të vendit. Çdo formulë e re që shpik qeveria ka pas vetes krimin dhe korrupsionin”, deklaroi Noka.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


