Nga Marsejda Braho
Pjesëmarrja e grave në politikë është thelbësore për ndërtimin e një shoqërie më të drejtë, gjithëpërfshirëse dhe të zhvilluar. Kjo nuk është vetëm një çështje barazie, por edhe një mënyrë për të përmirësuar cilësinë e vendimmarrjes, stabilitetin dhe zhvillimin shoqëror. Pjesëmarrja aktive e grave në jetën publike e private të një vendi është jo vetëm një e drejtë, por një domosdoshmëri. Gratë përbëjnë mbi 50% të popullsisë, dhe përqindja më e ulët e përfaqësimit të tyre, krijon boshllëqe në vendimmarrje. Ka shumë sfida me të cilat ato duhet të përballen, duke nisur me stereotipet dhe diskriminimin gjinor e duke pasuar me perceptimin e grave si më pak të zonja për role drejtuese. Studimi i realizuar nga Rjeti “Barazi në Vendimmarrje,” me mbështetjen e National Democratic Institute (NDI), tregon se gratë kanë mungesë të madhe të mbështetjes financiare apo thënë ndryshe, mungesë të aksesit në financat e partive politike. Dhuna dhe presioni politik, si p.sh.: rritja e sulmeve verbale ndaj grave në politikë është shqetësim kyç që duhet kapërcyer.
Sigurisht, përtej sfidave ka edhe arritje në përparimin e grave në politikë, shumë prej të cilave janë kthyer në model suksesi. Ndër këto arritje përmendim:
- Rritja e përfaqësimit të grave në parlament, këshilla bashkiak, kabinete e më tej.
- Ligje dhe politika që kanë ndihmuar në fuqizimin e grave në politikë.
Duhet cilësuar se ndonëse hapa të rëndësishëm janë ndërmarr, nevoja për mekanizma më
fuziques dhe mbështetës, veçanërisht financiar është ende një domosdoshmëri.
Por, cila është rëndësia e përfaqësimit të grave në politikë?
Përfaqësimi i grave në politikë ka rëndësi të veçantë për një demokraci më të fuqishme dhe të barabartë. Gratë politikane shpesh dërgojnë përpara reforma kundër dhunës me bazë gjinore, për barazinë në punësim dhe ato çështje me fokus gjinor. Sipas studimeve, kur gratë marrin pjesë në procese vendimmarrëse, ka më shumë gjasa për zgjidhje paqësore të konflikteve. Kur vajzat dhe gratë e reja shohin gra në pozita të ndryshme politike, ato ndihen të inkurajuara të ndjekin një karrierë në politikë. Një përfaqësim më i madh ndihmon në ndryshimin e mentalitetit tradicional që e sheh politikën si një fushë të dominuar nga burrat. Studime nga organizata ndërkombëtare tregojnë se vendet me përfaqësim të lartë të grave kanë më pak korrupsion dhe qeverisje më transparente. Gratë shpesh promovojnë bashkëpunimin dhe vendimmarrjen e bazuar në konsensus. Përfshirja e grave në politikë krijon një lidhje më të fortë midis qeverisë dhe komunitetit, pasi shpesh në fokus të grave janë edhe çështje e rëndësishme sociale. Në këshillat bashkiakë gratë zënë 44% të vendeve, ndërsa në Parlament ato përbëjnë 35% të
anëtarësisë. Kuvendi drejtohet prej vitesh nga një grua. Ndërsa, rezultati i pjesëmarrjes së grave në organet vendimmarrëse si Parlament, Këshilla bashkiakë ka ardhur si pasojë e vendosjes së kuotës gjinore në Kodin Elektoral, ku përcaktohet se partitë politike duhet të përfshijnë deri në masën 30% gjininë më pak të përfaqësuar, që në rastin tonë janë gratë. Ky ndryshim pati impakt, sepse në vitin 2000 anëtaret gra të parlamentit ishin vetëm 7%, ndërsa që nga 2017-ta, menjëherë situata ndryshoi dhe arriti në shifrën 35%. Ndryshe ndodh në vendet e tjera të rajonit, ku Serbia ka arritur në kuotën 38%, ndërsa Maqedonia e Veriut është në nivelin 40% gra parlamentare. Një nismë e suksesshme e grave në politikë është themelimi i Aleancës Kombëtare të Këshilltareve Bashkiake (AKKB), një platformë për fuqizimin e grave dhe vajzave dhe nxitjen e përfshirjes sociale në nivel vendor. Këshilltaret gra nga i gjithë spektri politik dhe nga të gjithë bashkitë e vendit janë bashkuar në një platformë që synon të rrisë pjesëmarrjen e grave në vendimmarrjen politike si dhe të advokojë për përmirësimin e shërbimeve sociale për gratë dhe vajzat. “Politika nuk duhet të jetë qëllimi, por mjeti për t’u bërë zëri i çdo gruaje dhe krahu ku secila prej tyre të mund të mbështetet për të pasur akses në çdo mundësi, që ajo të zhvillohet ekonomikisht e profesionalisht. Vetëm kështu shoqëria do të jetë e drejtë dhe e barabartë. Shqipëria ka nevojë që të mbështesë çdo vajzë e grua, pavarësisht gjendjes apo përkatësive të saj. Duhet t’i japim fund kulturës së turpërimit të gruas dhe trajtimit të saj si krijesë e brishtë dhe e pazonja” thekson Silda Anagnosti, kryetare e Aleancës. Ndërsa Alta Haluci, bashkëkryetare e Aleancës ka shprehur: “Imazhi i gruas shqiptare me vlera në politikë është garanci për një qeverisje të mirë dhe integrim me standarde dhe vlera të Shqipërisë në BE”. Gratë këshilltare bashkiake nga e gjithë Shqipëria u mblodhën për të fuqizuar gratë dhe vajzat në politikë dhe për të promovuar barazinë gjinore në nivel vendor. Ato vijnë nga parti të ndryshme, shpesh kundërshtare dhe ky bashkëpunim ndër-partiak për një kauzë më të lartë dërgon një mesazh të fortë për të gjithë shoqërinë. Klementina Meçi është nënkryetare e Aleancës Kombëtare të Këshilltareve Bashkiake, njëkohësisht anëtare e këshillit bashkiak Durrës. Ajo tregon se Bashkia Durrës ka bërë progres të dukshëm, pasi ka përmbushur pjesën më të madhe të detyrimeve ligjore që lidhen me barazinë gjinore. Është thelbësore që partitë politike t’i promovojnë gratë në listat e kandidatëve, t’u ofrojnë kandidateve gra trajnimin dhe mbështetjen e duhur, si dhe të caktojnë fonde të përshtatshme për to. Gratë dhe komunitetet e tjera të margjinalizuara vazhdojnë të përballen me pengesa dhe sfida në përfaqësimin politik. Një prej tyre është mungesa e aksesit në financimin politik, si nga burimet partiake ashtu edhe nga rrugët e jashtme. Në vitin 2020, gratë përfaqësonin mesatarisht vetëm 25% të deputetëve në mbarë botën. Nëse progresi vazhdon me këtë ritëm, do të duhen rreth 48 vjet për të arritur barazinë gjinore në politikë. Financimi publik i orientuar drejt gjinisë është njëra nga qasjet për rritjen e përfaqësimit të grave në politikë. Lidhja e sasisë së financimit me nivelin e barazisë gjinore në listat e kandidatëve ose caktimi i një pjese të financimit publik për barazinë gjinore ka potencialin ta mbështesë dhe ta rrisë përfaqësimin e grave. Shqipëria ka ndërmarrë një qasje të tillë dhe të dhënat tregojnë se ka pasur një rritje të vazhdueshme të numrit të grave të zgjedhura në parlament që nga fillimi i viteve 1990. Gratë nuk kanë të njëjtën qasje në burime financiare, gjë që rrjedh nga punët me pagë përgjithësisht
më të ulët, aksesi më i pakët në prona, asete financiare dhe burime të tjera që nevojiten gjatë zgjedhjeve. Gratë gjithashtu mbeten prapa burrave për sa i përket vizibilitetit gjatë zgjedhjeve, siç është theksuar në raportet e mëpasshme zgjedhore të OSBE/ODIHR. Fakti që fushatat zgjedhore janë bërë më të kushtueshme, me kalimin e kohës e bën edhe më të vështirë aksesin në financim politik, veçanërisht nga burime private. Si përfundim, barazia gjinore brenda partive politike përmirëson demokracinë e tyre të brendshme, rrit përfshirjen dhe drejtësinë, si dhe rrit gjasat për një qeverisje më transparente, të drejtë dhe të përgjegjshme brenda partisë.