Mërgim Cernaverni e ka lënë prapa krahëve lëndimin që e kishte pësuar disa muaj më parë.
Sulmuesi i ri i Llapit është kthyer aty ku e kishte lënë, duke u treguar një “makineri” e vërtetë e golit.
18 vjeçari e ka rikthyer shkëlqimin me ekipet U19 dhe U-21 të Llapit, ndërsa po vazhdon të ushtrojë dhe të ftohet rregullisht në ekipin e parë në Superligë nga trajneri Tahir Batatina.
E Mërgimi i Llapit u rikthye në aksion pak javë më parë dhe atë furishëm.
Ai i ka realizuar 5 gola me ekipin U-21 dhe një gol me skuadrën U-19.
“Lewandoëski i Llapit”, në një bisedë u shpreh i lumtur për rikthimin, ndërsa beson se, pasi ta tregojë veten me ekipin U-21, por edhe me atë U-19, do t’i jepet rasti edhe në skuadrën e parë, ku synon po ashtu t’i tregojë vlerat e tij.
Ai po punon fort për të qenë protagonist tek të rinjtë dhe për ta ndihmuar edhe skuadrën e parë të Llapit, ndërsa nuk e ka fshehur dëshirën dhe objektivin e tij për të luajtur edhe për Kombëtaren A të Kosovës.
Cernaverni ishte grumbulluar në ekipin U-19 të Kosovës nga trajneri Adil Maliqi, por më pas u lëndua.
Sidoqoftë, me paraqitjet që po i bën, futbollisti llapjan mund të ftohet prapë tek “Dardanët e rinj”.
Llapi ka nxjerrë lojtarë të mëdhenj në vitet e fundit dhe njëri prej tyre mund të jetë edhe Mërgim Cernaverni, të cilin në të ardhmen mund ta shohim në ndonjë klub evropian.
/BotaSot/