Sistemi i ri i Hyrjeve dhe Daljeve (Entry/Exit System – EES) i Bashkimit Evropian po shkakton vonesa të konsiderueshme në pikat kufitare të zonës Shengen, duke rritur ndjeshëm kohën e kontrollit të pasaportave për qytetarët e vendeve jashtë BE-së, përfshirë edhe shtetasit britanikë, amerikanë, shqiptarë dhe udhëtarë të tjerë.
EES regjistron në mënyrë elektronike hyrjet dhe daljet e udhëtarëve, duke zëvendësuar vulat tradicionale në pasaportë. Gjatë hyrjes së parë në zonën Shengen, udhëtarëve u merren gjurmët e gishtërinjve dhe fotografia e fytyrës, një proces që kërkon më shumë kohë se kontrollet e mëparshme.
Një nga aeroportet që po përballet me sfida është Fiumicino në Romë. Sipas drejtuesve të aeroportit, koha mesatare e kontrollit është rritur nga rreth 7 minuta në afërsisht 20 minuta, edhe pse janë instaluar porta elektronike dhe sisteme të reja automatike. Autoritetet kanë paralajmëruar se, gjatë ditëve me fluks të lartë, vonesat mund të bëhen edhe më të gjata.
Aeroportet ku raportohen pritjet më të gjata
Sipas raportimeve të fundit nga mediat evropiane dhe organizatat e udhëtimit, aeroportet që po hasin më shumë probleme me radhët për shkak të EES përfshijnë:
- Palma de Mallorca (Spanjë) – një nga aeroportet me radhët më të gjata gjatë sezonit veror.
- Roma Fiumicino (Itali) – ku drejtuesit kanë shprehur shqetësim serioz për fluksin e verës.
- Roma Ciampino (Itali) – gjithashtu përballet me presion të shtuar.
- Aeroporte të tjera me fluks të madh turistik në Spanjë, Itali dhe Greqi po raportojnë gjithashtu vonesa, veçanërisht në fundjavë dhe gjatë orëve të pikut.
Paralajmërimi i industrisë së aviacionit
Shoqatat ndërkombëtare të aviacionit, përfshirë IATA, ACI Europe dhe Airlines for Europe (A4E), kanë paralajmëruar se nëse nuk merren masa shtesë, pritjet në kufi gjatë korrikut dhe gushtit mund të arrijnë deri në 2 deri në 4 orë në disa aeroporte. Organizatat kërkojnë më shumë personel kufitar, përmirësim të teknologjisë dhe fleksibilitet në zbatimin e sistemit gjatë periudhave me fluks të lartë.
Ekspertët këshillojnë udhëtarët që gjatë kësaj vere të mbërrijnë në aeroport të paktën tre orë para fluturimeve ndërkombëtare drejt ose nga zona Shengen, pasi procedurat kufitare mund të zgjasin më shumë se zakonisht.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


