Në Shkup po vijon protesta e studentëve shqiptarë nga Maqedonia e Veriut, Kosova dhe vise të tjera shqiptare, të cilët kërkojnë që provimi i Jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe. Ata e cilësojnë këtë kërkesë si një të drejtë kushtetuese dhe jo si çështje politike.
Studentët pjesëmarrës theksojnë se qëllimi i protestës lidhet me barazinë gjuhësore dhe të ardhmen e tyre profesionale në sistemin juridik. Sipas tyre, përdorimi i gjuhës shqipe në provimet shtetërore është një e drejtë që duhet të garantohet plotësisht nga institucionet.
“Kjo që po bëjmë ne është e detyrueshme. Bëhet fjalë për të ardhmen tonë. Duhet të flitet shqip. Kjo na takon me të vërtetë”, tha një student i Shkencave të Komunikimit gjatë protestës.
Ndërkohë, Arlinda Emini nga Kumanova, studente në Fakultetin Juridik në Universitetin “Nënë Tereza”, kërkoi zbatimin e Ligjit për përdorimin e gjuhëve dhe theksoi se studentët nuk do të tërhiqen nga kërkesat e tyre.
“Ne nuk do të dorëzohemi. Është një e drejtë që na takon. Është problem i institucioneve, por me brezin tonë do realizohen shumë çështje që nuk janë realizuar më herët. Partitë politike nuk kanë marrë pjesë në organizim. Është organizim studentor”, deklaroi ajo.
Në protestë u dëgjua edhe zëri i studentit të marketingut, Lavdrim Hajrullahi, i cili u shpreh se aktiviteti do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave të tyre.
“Shpresojmë që të arrihet zgjidhje. Ne do të vazhdojmë protestat dhe nuk do të ndalemi. Kjo nuk është çështje partiake, është çështje gjaku dhe gjuhe. Duhen marrë masa që t’i kemi të drejtat tona”, tha ai.
Studentët këmbëngulin se protesta është e pavarur politikisht dhe e organizuar nga vetë ata, ndërsa kërkojnë reagim institucional për zgjidhjen e çështjes së provimit të Jurisprudencës në gjuhën shqipe.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


