Shqipëria vijon të përballet me situata zjarresh në disa zona të vendit, ndërsa autoritetet raportojnë dhjetëra ndërhyrje nga ekipet e emergjencave gjatë 24 orëve të fundit.
Sipas Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile, janë regjistruar 28 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten ende aktive. Forcat operacionale vijojnë punën për izolimin dhe shuarjen e vatrave në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun e Elbasanit, ku situata paraqitet nën kontroll ose në përmirësim.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, si dhe mjete ajrore, përfshirë 3 helikopterë dhe një avion “Air Tractor” të Forcës Ajrore.
Në Mallakastër, për shkak të afrimit të flakëve dhe për arsye sigurie, janë evakuuar përkohësisht katër familje. Autoritetet bëjnë të ditur se aktualisht nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat e tjera aktive.
Ndërkohë, disa vatra zjarri të raportuara më herët në Kostren të Beratit, Pocest të Dibrës dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë në Gjirokastër janë shuar dhe po mbahen nën monitorim nga ekipet përkatëse.
Nga zjarret e ditëve të fundit janë prekur rreth 34.5 hektarë sipërfaqe me barishte, shkurre, pisha dhe pyje të përziera.
Autoritetet paralajmërojnë se edhe për ditën e sotme mbetet i lartë rreziku për përhapjen e zjarreve në disa qarqe, përfshirë Lezhën, Durrësin, Tiranën, Elbasanin, Fierin, Beratin dhe Gjirokastrën.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile deklaron se do të vijojë monitorimin e situatës dhe koordinimin e operacioneve në terren, ndërsa u bën apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal për të shmangur shkaktarët e zjarreve gjatë periudhës së temperaturave të larta.
Njoftimi i Agjencia Kombëtare të Mbrojtjes Civile:
Në operacionet për izolimin dhe shuarjen e tyre janë angazhuar 631 forca operacionale, 64 automjete zjarrfikëse, 90 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 1 avion “Air Tractor” i Forcës Ajrore.
Puna vijon në zonën e Dajtit, në Mallakastër dhe në qarkun Elbasan, ku situata paraqitet nën kontroll ose drejt izolimit.
Në Mallakastër janë evakuuar përkohësisht katër familje për arsye sigurie, ndërsa nuk raportohet rrezik për zonat e banuara në vatrat e tjera aktive.
Ndërkohë, vatrat në Kostren (Berat), Pocest (Dibër) dhe në zonën Stegopull–Selckë e Levenishtë (Gjirokastër) janë shuar dhe mbahen në monitorim.
Nga zjarret janë prekur rreth 34.5 hektarë me barishte, shkurre, pisha dhe pyll të përzier.
Për ditën e sotme parashikohet nivel i lartë rreziku për zjarre në qarqet Lezhë, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat dhe Gjirokastër.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon koordinimin e operacioneve dhe monitorimin e situatës në të gjithë vendin”
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


