-19.8 C
Sterling Heights
24/01/2026, 2:29
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Freedom House: Institucionet sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e vetingut dhe korrupsioni i shfrenuar

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetFreedom House: Institucionet sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e vetingut dhe...

Organizata “Freedom House” thotë se ndikimi i luftës në Ukrainë, si pasojë e agresionit rus, u ndje gjatë vitit të kaluar në 29 vendet nga Evropa Qendrore në Azinë Qendrore që analizohen në raportin e saj “Vendet në Tranzicion”.

Në raportin e këtij viti titulluar “Lufta thellon ndasitë rajonale” që analizon zhvillimet e vitit 2022 dhe që u bë publik të mërkurën, thuhet se në vend që t’i forconin lidhjet në rajon, “kërcënimet e sigurisë, kriza historike e refugjatëve dhe problemet ekonomike të lidhura me konfliktin, kanë thelluar hendekun mes autokracive dhe demokracive dhe kanë shkaktuar ndryshime përçarëse në politikat e jashtme të qeverive të veçanta”. “Megjithëse disa vende bënë zgjedhje të qarta në favor të një të ardhmeje më demokratike gjatë vitit 2022, rezultati i përgjithshëm ishte një vit i 19-të me radhë të rënies së demokracisë në rajon”, thuhet në raport.

 

Gjendja e demokracisë në Shqipëri

 

Edhe në vitin 2022, Shqipëria ishte në kategorinë e regjimeve hibride/demokraci në tranzicion. Vlerësimi i përgjithshëm për Shqipërinë shënoi një përparim të lehtë në vitin 2022 në krahasim me vitin 2021, falë një rritjeje të vlerësimit në luftën kundër korrupsionit.

 

“Vlerësimi për luftën kundër korrupsionit u rrit nga 2.75 në 3.00 pikë, falë një sërë aktakuzash dhe dënimesh të profilit të lartë të ish-zyrtarëve nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), si dhe rolit të saj proaktiv në nxitje e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”, thuhet në raport.

 

Kjo bëri që vlerësimi i përgjithshëm të rritet nga 3.75 në 3.79, në një shkallë vlerësimi nga 1 deri në 7 pikë, ku 1 është niveli më i ulët i demokracisë është 7 më i larti.

 

Raporti 1

Megjithatë treguesit e tjerë të demokracisë mbetën të pandryshuar dhe raporti thotë se institucionet demokratike të Shqipërisë sfidohen nga politika partiake klienteliste, zvarritja e procesit të vetingut në drejtësi dhe korrupsioni i shfrenuar.

 

“Korrupsioni mbetet i përhapur, duke kontribuar në mosfunksionimin e institucionit publik dhe duke kufizuar aftësinë e tij për të ofruar shërbime efektive. Megjithëse agjencitë e reja ligjzbatuese si SPAK, krijuar në vitin 2019, tregojnë shenja premtuese në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivelet më të larta, ndikimi politik mbi gjyqësorin në rastet e korrupsionit vazhdojnë ende të jenë shqetësim”, thuhet në kapitullin për Shqipërisë të raportit “Vendet në Tranzicion 2023”, që e ka siguruar Zëri i Amerikës.

 

“Drejtësia bazë për shumë qytetarë shqiptarë vërtet mungon. Dhe është gjithashtu një mjedis, ashtu si pjesa më e madhe e rajonit, ku mediat e pavarura po tkurren, aktorët e shoqërisë civile janë në pozitë të vështirë, duke shtuar gjithnjë e më shumë pengesat dhe kërcënimet”, i thotë Zërit të Amerikës, Alexandra Karppi, një nga autoret e raportit.

 

Me gjithë përmirësimin modest në treguesin e korrupsionit, raporti thotë se pati pak mundësi për reforma të mëtejshme para zgjedhjeve lokale të 14 majit këtë vit.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img