Pas brazilianit Natan, i cili zbarkon te Napoli për të zëvendësuar koreanin Kim në qendër të mbrojtjes, kampionët e Italisë kanë siguruar edhe një përforcim në mesfushë.
Presidenti De Laurentiis ka arritur marrëveshjen me francezët e Reims në lidhje me shërbimet e Jens Cajuste.
23-vjeçari me baba amerikan dhe nënë suedeze (15 ndeshje me kombëtaren vikinge), luan si mesfushor qendror dhe si “shkatërrues”.
Napoli do të paguajë rreth 12 mln euro për kartonin e tij. Cajuste do të zbarkojë në Napoli gjatë ditës së sotme për të kryer testet mjekësore.
Një përforcim që i shton muskujt dhe potencën skuadrës së Rudi Garcias, teksa do të zëvendësojë edhe kamerunasin Anguissa.
28-vjeçari është i dëmtuar, ndërkohë që gjatë muajit janar do të grumbullohet me Kombëtaren e tij në Kupën e Kombeve të Afrikës.
Gjatë një viti e gjysmë që u aktivizua në Ligue 1 me Reimsin, Cajuste shënoi 5 gola dhe dhuroi një asist në 39 ndeshje.
/BotaSot/


