Tiranë, 16 Korrik 2025 – Qeveria shqiptare ka miratuar këtë javë vendimin për krijimin e një organizate jofitimprurëse, e cila do të shërbejë për trajnimin dhe zhvillimin profesional të punonjësve të njësive të vetëqeverisjes vendore. Sipas njoftimit zyrtar, organizata do të ketë statusin e një subjekti me kompetenca të përbashkëta mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, me objektivin e rritjes së kapaciteteve institucionale dhe përgatitjes për procesin e integrimit evropian.
Në letër, iniciativa duket e orientuar drejt forcimit të administratës lokale dhe përmirësimit të shërbimeve për qytetarët. Por në praktikë, ky vendim ka ngjallur shqetësime dhe skepticizëm nga aktorë të shoqërisë civile dhe disa ekspertë të financave publike, të cilët e shohin si një mekanizëm të ri për ndarjen e fondeve nga buxheti i shtetit pa një proces transparent dhe me rrezik për abuzime.
Struktura dhe financimi
Sipas vendimit të miratuar në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave, kjo organizatë do të financohet drejtpërdrejt nga buxheti i shtetit, përfshirë themelimin dhe jo më pak se 50% të kostove operacionale për tre vitet e para të funksionimit.
Ministri për pushtetin vendor është autorizuar të negociojë dhe firmosë marrëveshjen për krijimin e organizatës, dhe do të jetë gjithashtu anëtar i komitetit drejtues, një pozicion ky që rrit ndikimin politik mbi një strukturë që në teori duhet të jetë teknike dhe neutrale.
Derisa nuk ka pasur ende një reagim zyrtar nga opozita apo nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, shoqëria civile dhe grupet për transparencën buxhetore kanë shprehur shqetësim mbi mënyrën e krijimit të organizatës, rolin e ministrit në strukturën drejtuese, dhe veçanërisht mbi garancinë e pavarësisë së kësaj organizate nga ndikimi politik.
Një ekspert i qeverisjes lokale, i cili foli në kushte anonimiteti, u shpreh:
“Ka mënyra shumë më transparente dhe të kontrollueshme për të trajnuar stafin e njësive vendore. Të krijosh një OJF me financim të drejtpërdrejtë shtetëror, ku një ministër është edhe pjesë e drejtimit, është një model i diskutueshëm dhe potencialisht problematik.”
Vendimi hyn në fuqi pas botimit në Fletoren Zyrtare, por mbetet për t’u parë si do të strukturohet organizata konkretisht, cilat do jenë kriteret e përzgjedhjes së stafit dhe të trajnerëve, dhe si do të monitorohen fondet publike që do të përdoren për funksionimin e saj.
Në një kohë kur besimi publik ndaj institucioneve mbetet i brishtë dhe kur auditimet e fundit kanë zbuluar raste të keqpërdorimit të fondeve në programet e trajnimit, transparenca dhe llogaridhënia për kete projekt të ri do të jenë kyçe për të shmangur përsëritjen e skemave që i kanë kushtuar buxhetit të shtetit miliona euro në të kaluarën.
Foto nga Google Images
Artikulli i përgatitur nga ACTVUSA


