Një incident i rëndë sigurie është regjistruar mbrëmjen e së shtunës pranë ambienteve të White House, ku janë raportuar të shtëna me armë zjarri, duke shkaktuar alarm të menjëhershëm tek autoritetet amerikane dhe gazetarët që ndodheshin në zonë.
Sipas raportimeve nga mediat amerikane dhe deklaratës së drejtorit të FBI-së, Kash Patel, forcat e rendit po i përgjigjen një situate me armë pranë rrugëve 17th Street dhe Pennsylvania Avenue NW, vetëm pak metra larg Shtëpisë së Bardhë.
Gazetarët që po punonin në ambientet e jashtme të Shtëpisë së Bardhë raportuan se dëgjuan një seri të shtënash dhe u urdhëruan menjëherë nga agjentët e Shërbimit Sekret të futeshin në sallën e konferencave për shtyp, ndërsa zona u vendos përkohësisht në izolim sigurie.
Në një reagim publik, Shërbimi Sekret amerikan deklaroi se është “në dijeni të raportimeve për të shtëna pranë 17th Street dhe Pennsylvania Avenue NW” dhe se po verifikon informacionin në terren. Ndërkohë, FBI konfirmoi se agjentët federalë ndodhen në vendngjarje për të mbështetur operacionin e sigurisë.
Sipas informacioneve paraprake, presidenti Donald Trump ndodhej brenda Shtëpisë së Bardhë në momentin e incidentit. Deri tani nuk ka konfirmim zyrtar për viktima apo të plagosur, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Disa gazetarë amerikanë në terren deklaruan se dëgjuan “dhjetëra të shtëna”, ndërsa pamjet e publikuara në rrjetet sociale tregojnë reporterë që strehohen me urgjencë pas shpërthimit të të shtënave.
Ngjarja vjen vetëm pak javë pas një tjetër incidenti të armatosur pranë Shtëpisë së Bardhë, çka ka rritur shqetësimet për sigurinë në kryeqytetin amerikan. Autoritetet kanë paralajmëruar se do të publikojnë më shumë detaje sapo hetimet të avancojnë.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


