Teksa projekti miliarda dollarësh në Zvërnec, i lidhur me sipërmarrësin amerikan dhe dhëndrrin e Presidentit Donald Trump, Jared Kushner, vazhdon të jetë në qendër të debatit publik dhe protestave të vazhdueshme, e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, Nancy VanHorn, ka përcjellë një mesazh të fortë mbi rëndësinë e klimës së investimeve në Shqipëri.
Gjatë një aktiviteti kushtuar sigurisë ekonomike dhe investimeve strategjike, VanHorn theksoi se Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara ndajnë të njëjtën qasje sa i takon tërheqjes së investimeve të huaja, duke mbrojtur njëkohësisht sektorët strategjikë dhe infrastrukturën kritike.
“Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt,” deklaroi diplomatja amerikane.
Ajo nënvizoi se miratimi i ligjeve është vetëm hapi i parë dhe se suksesi varet nga mënyra se si ato zbatohen në praktikë. Sipas saj, SHBA do të vazhdojë të mbështesë Shqipërinë në këtë proces.
Një pjesë e rëndësishme e mesazhit të VanHorn ishte referenca direkte ndaj interesit të investitorëve amerikanë për tregun shqiptar.
“Investitorët po i kushtojnë vëmendje – përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu – në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë,” tha ajo.
Diplomatja theksoi se investitorët kanë nevojë për siguri juridike, rregulla të qarta dhe një terren të barabartë konkurrimi, ndërsa paralajmëroi se sektorët strategjikë duhet të mbrohen nga aktorë që nuk respektojnë të njëjtat standarde dhe rregulla.
Deklarata vjen në një moment kur projekti i propozuar në Zvërnec ka ndezur debate të forta politike dhe publike në Shqipëri, me kundërshtarët që ngrejnë shqetësime mjedisore dhe ligjore, ndërsa mbështetësit argumentojnë se investime të tilla mund të sjellin zhvillim ekonomik, vende të reja pune dhe rritje të turizmit.
Edhe pse Nancy VanHorn nuk iu referua drejtpërdrejt projektit të Zvërnecit, deklaratat e saj për interesin e investitorëve amerikanë dhe nevojën për një klimë të qëndrueshme investimesh pritet të interpretohen si një sinjal i rëndësishëm në debatin që po zhvillohet aktualisht në Shqipëri.
Ja nje pjese nga fjala e saj:
“Kur Presidenti Trump shpalli politikën e investimeve të Amerikës vitin e kaluar, ai theksoi një parim të thjeshtë: mirëpritni investimet që forcojnë rritjen ekonomike duke siguruar që infrastruktura kritike dhe sektorët strategjikë të mbeten të sigurt. Qasja e Shqipërisë për shqyrtimin e investimeve është ndërtuar mbi të njëjtin parim. Dhe kjo përputhje ka rëndësi. Natyrisht, miratimi i një ligji është fillimi, jo fundi. Zbatimi është vendi ku këto përpjekje kanë sukses ose dështojnë – dhe Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi. Investitorët po i kushtojnë vëmendje – përfshirë ata amerikanë. Kompanitë amerikane janë këtu – në energji, ndërtim dhe teknologji – dhe shumë të tjera po shikojnë të vijnë. Por investitorët kanë nevojë për besim se rregullat janë të qarta, se fusha e lojës është e barabartë dhe se sektorët strategjikë janë të mbrojtur nga aktorë që nuk luajnë sipas të njëjtave rregulla si ne. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbështesin Shqipërinë gjatë këtij procesi”.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


