Kryetari i Sali Berisha deklaroi se opozita nuk e ka bojkotuar Kuvendin, por ka marrë një vendim për të mos marrë pjesë në seancat plenare deri në momentin kur, sipas tij, mazhoranca të lejojë shqyrtimin e amendamenteve të propozuara nga deputetët demokratë qe paraqesin kerkesat e protestuesve.
Sipas Berishës, vendimi nuk përfshin punën në komisionet parlamentare, të cilat do të vazhdojnë normalisht. Ai theksoi se masa është një reagim ndaj asaj që e cilëson si bllokim të nismave ligjore të opozitës, të cilat, sipas tij, pasqyrojnë kërkesat e përfaqësuesve të protestës.
Berisha argumentoi se mosfutja në rendin e ditës e këtyre amendamenteve cenon të drejtat kushtetuese të deputetëve të opozitës dhe dëmton funksionimin normal të Kuvendit. Ai kërkoi që Kryesia e Kuvendit t’i procedojë propozimet për diskutim dhe votim, duke e cilësuar këtë si një detyrim minimal të institucionit ndaj publikut dhe qytetarëve.
Në deklaratën e tij, kreu i opozitës ritheksoi se qëndrimi i grupit parlamentar demokrat do të mbetet i pandryshuar derisa amendamentet e depozituara të marrin trajtimin parlamentar që, sipas tij, u takon sipas procedurave.
”Nuk kemi bojkotuar parlamentin. Kemi shpallur mospjesëmarrje në seancat parlamentare dhe jo në Komisione, gjersa Edi Rama të mos bllokojë paraqitjen në Parlament të amendamenteve që kanë dorëzuar deputetët tanë për ndryshimin e ligjeve që kërkojnë përfaqësuesit e protestës.
Mbajtja e tyre pa i paraqitur në parlament, është një fyerje shumë e rëndë për opozitën, protestën dhe për shqiptarët. Është një dhunim i të drejtave kushtetuese të deputetëve të opozitës. Kjo është arsyeja dhe ky është qëndrimi. Të vendosë kryesia, t’i paraqesim, t’i diskutojmë. Është detyrimi më minimal i parlamentit ndaj publikut, ndaj shqiptarëve dhe shqiptarëve në protestë”,tha Berisha.
Foto nga Goggle Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


