Komisioni Evropian ka reaguar më 18 Tetor për përshkallëzimin e protestave në Shqipëri, duke dënuar zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike e private.
Në deklaratë, Komisioni thekson se dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike dhe se personat përgjegjës duhet të mbajnë përgjegjësi përmes procesit të rregullt ligjor. Njëkohësisht, ai nënvizon se reagimi i autoriteteve duhet të jetë në përputhje me ligjin dhe proporcional.
Brukseli rikujton se liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore evropiane, të cilat duhet të ushtrohen në mënyrë paqësore. Komisioni mirëpret gjithashtu zotimin e autoriteteve shqiptare për mbrojtjen e së drejtës së protestës.
Ja reagimi i plote:
“Ne dënojmë përdorimin e dhunës në Tiranë dhe qytete të tjera të Shqipërisë, përfshirë zjarrvëniet, sulmet ndaj institucioneve shtetërore dhe shkatërrimin e pronës publike dhe private. Dhuna nuk ka vend në një shoqëri demokratike, dhe reagimi ndaj saj duhet të mbetet brenda kornizës së ligjit dhe të jetë proporcional. Përgjegjësit duhet të mbahen përgjegjës përmes procesit të rregullt ligjor.
Liria e tubimit dhe e shprehjes janë të drejta themelore dhe vlera thelbësore evropiane, të cilat duhet të respektohen dhe të ushtrohen në mënyrë paqësore.
Ne mirëpresim zotimin e autoriteteve shqiptare se e drejta për të protestuar do të mbrohet. Në një vend kandidat që është fuqishëm i përkushtuar ndaj procesit të anëtarësimit në BE dhe që po shënon përparim të rëndësishëm në rrugën drejt BE-së, pakënaqësitë duhet të trajtohen përmes dialogut konstruktiv dhe në mënyrë paqësore”.


