Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me bashkëshorten e tij, Rita Augestad Knudsen, është pritur në Pallatin Élysée në Paris nga presidenti francez Emmanuel Macron dhe bashkëshortja e tij, Brigitte Macron.
Çifti nga Kosova mori pjesë në darkën presidenciale të organizuar nga Macron në nder të liderëve dhe personaliteteve ndërkombëtare që janë mbledhur në Paris për edicionin e nëntë të Forumit të Paqes.
Vetë Kurti e bëri publik lajmin përmes një postimi në Facebook, ku ndau edhe fotografi nga pritja në rezidencën presidenciale franceze.
“Bashkë me Ritën ishim të nderuar të marrim pjesë në darkën e shtruar nga Presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë Brigitte Macron, në Pallatin Élysée, në kuadër të Forumit të Paqes në Paris”, shkroi Kurti.
Vizita e kryeministrit Kurti në Francë nisi më 7 Nëntor dhe përfshiu një sërë takimesh me përfaqësues të lartë të institucioneve franceze dhe personalitete ndërkombëtare.
Gjatë qëndrimit në Paris, Kurti u takua me presidentin e Senatit francez, Gérard Larcher. Në fokus të bisedimeve ishin marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Francës, zhvillimi ekonomik dhe aspiratat e Kosovës për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe NATO.
Ai zhvilloi gjithashtu një takim me kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire, ku u diskutua për bashkëpunimin në fushën e banimit social dhe të përballueshëm, si dhe për forcimin e lidhjeve kulturore mes Kosovës dhe kryeqytetit francez.
Në kuadër të Forumit të Paqes, Kurti mori pjesë edhe në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After War”, ku trajtoi çështje që lidhen me demokracinë, zhvillimin ekonomik e social, arsimin dhe investimet në infrastrukturë.
Pjesëmarrja në darkën e Pallatit Élysée shënoi një nga momentet përmbyllëse të vizitës së tij në Paris, duke e vendosur Kosovën në mesin e përfaqësuesve ndërkombëtarë të pranishëm në këtë forum.
Për Kosovën, marrëdhëniet me Francën mbeten një pjesë e rëndësishme e angazhimit diplomatik për forcimin e pozitës ndërkombëtare dhe avancimin e perspektivës së saj evropiane.
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


