Gjykata e Posaçme e Apelit ka ndryshuar vendimin e Shkallës së Parë në çështjen gjyqësore mes kryetarit të Partisë Mundësia, Agron Shehaj, dhe kreut të “Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj.
Me vendimin e datës 1 Tetor, Apeli ka rrëzuar edhe dënimin për fyerje ndaj Shehajt, duke e shpallur atë të pafajshëm. Në këtë mënyrë, gjykata ka ndryshuar pjesën e vendimit të Shkallës së Parë që e kishte dënuar Shehajn me 300 mijë lekë gjobë.
Ndërkohë, Apeli ka lënë në fuqi edhe vendimin e Shkallës së Parë për pafajësinë e Shehajt lidhur me akuzën e shpifjes.
Në përfundim të procesit në Apel, Agron Shehaj është shpallur i pafajshëm për të dyja veprat penale për të cilat ishte akuzuar nga Adriatik Lapaj.
Përplasja gjyqësore kishte nisur më 1 Prill 2025, kur Lapaj kishte paraqitur kërkesë ndaj Shehajt për veprat penale të “Fyerjes” dhe “Shpifjes”, duke iu referuar deklaratave publike të bëra nga kreu i Partisë Mundësia.
Në qendër të çështjes ishin deklaratat e Shehajt lidhur me marrëdhëniet profesionale të Lapajt me kompaninë “Merkaj 3 sh.p.k.”. Shehaj kishte deklaruar publikisht se Lapaj kishte përfituar para nga kjo kompani, e cila ishte sekuestruar nga SPAK në kuadër të një hetimi ku dyshohej për përdorim në pastrimin e parave të lidhura me grupin kriminal të njohur si “Çopjat”.
Lapaj i kishte mohuar këto pretendime, duke deklaruar se nuk kishte marrë pagesat e pretenduara dhe se shumat e përmendura lidhen me detyrime për shërbime ligjore të kryera prej tij në cilësinë e avokatit.
Më 21 Janar 2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë e kishte shpallur Shehajn të pafajshëm për akuzën e shpifjes, duke vlerësuar se fakti i pretenduar nuk përbënte vepër penale. Për akuzën e fyerjes, gjykata kishte dhënë një vendim fajësie dhe e kishte dënuar me 300 mijë lekë gjobë.
Vendimi i ri i Apelit ndryshon pikërisht këtë pjesë të procesit. Dënimi për fyerje është rrëzuar, ndërsa pafajësia për shpifje është lënë në fuqi.
Kështu, pas shqyrtimit në të dyja shkallët e Gjykatës së Posaçme, çështja përfundon me pafajësinë e Agron Shehajt për të dyja akuzat e ngritura ndaj tij nga Adriatik Lapaj.
Vendimi i Apelit shënon një tjetër zhvillim në përplasjen publike dhe politike mes dy figurave që janë përfshirë në garën për të përfaqësuar një alternativë jashtë dy forcave tradicionale politike në Shqipëri.
Foto nga Google Images
Artikulli përgatitur nga ACTVUSA


