15.3 C
Sterling Heights
22/09/2026, 23:25
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

RAMA REAGON PER ÇESHTJEN E VLORA HYSENIT NGA NJU JORKU: “PAVARËSI E DREJTËSISË”, POR PËRGJEGJËSIA POLITIKE MBETET NË TIRANË

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetRAMA REAGON PER ÇESHTJEN E VLORA HYSENIT NGA NJU JORKU: “PAVARËSI E...

Në Nju Jork, në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, Edi Rama gjeti kohë të reagojë për një prej goditjeve më të forta që ka marrë kupola e institucioneve shqiptare: drejtoresha e Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, është vendosur në “arrest shtëpie” dhe është pezulluar nga detyra në kuadër të hetimeve të SPAK për dosjen e AKSHI-t.

Reagimi i kryeministrit është i gjatë, solemn dhe i mbushur me fjalët që prej vitesh i kemi dëgjuar në çdo përballje të qeverisë me drejtësinë: “pavarësi”, “barazi para ligjit”, “askush nuk është mbi ligjin”, “të hetohet deri në fund”.

Në letër, gjithçka tingëllon perfekte. Por problemi nuk është ajo që Rama thotë për drejtësinë. Problemi është përgjigjja qe ai kurrë nuk jep!

Sepse pyetja që sot rëndon mbi qeverinë nuk është nëse Vlora Hyseni është fajtore apo e pafajshme. Këtë duhet ta vendosë gjykata. Dhe pikërisht këtë parim duhet ta respektojë çdo qytetar.

Pyetja politike është shumë më e thjeshtë:

SI ERDHI NJË PERSON NË KRYE TË SHËRBIMIT INFORMACIONIT TË SHTETIT DHE ÇFARË PËRGJEGJËSIE KA KRYEMINISTRI PËR EMËRIMIN DHE MBËSHTETJEN E SAJ?

“Çfarë ka ndodhur në institucionet që drejton qeveria, që një drejtore e SHISH-it përfundoi nën arrest shtëpie në një hetim që lidhet me dosjen e AKSHI-t?”

Kjo është pjesa që nuk zgjidhet me fjalinë “askush nuk është mbi ligjin”.

Rama thotë se është “falënderues” ndaj Hysenit për gjithçka që ajo ka bërë si duhet dhe se për pjesën tjetër duhet të flasin prokuroria dhe gjykata.

Mirë.

Por një drejtor i SHISH nuk është një funksionar çfarëdo. Është drejtuesi i institucionit që merret me informacionin dhe sigurinë e shtetit. Pikërisht për këtë arsye, vendosja e drejtuesit të tij nën një masë sigurie në një hetim penal nuk është thjesht një çështje personale e një zyrtari. Është një çështje me peshë të drejtpërdrejtë institucionale dhe politike.

Dhe këtu fillon problemi me narrativën e Ramës. Kryeministri e paraqet situatën sikur qeveria thjesht po qëndron mënjanë dhe po lejon drejtësinë të bëjë punën e saj. Por po kjo qeveri ka pasur përgjegjësinë institucionale për drejtimin e vendit, për mekanizmat e sigurisë dhe për marrëdhënien e saj me institucionet që sot po përfshihen në një prej hetimeve më të ndjeshme të viteve të fundit.

Rama thotë gjithashtu se çdo hetim ndaj zyrtarëve publikë po përdoret për “të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik”.

Është një mënyrë shumë e fortë për ta zhvendosur vëmendjen. Media dhe politika mund të bëjnë debat, të kërkojnë përgjegjësi dhe të shtrojnë pyetje. Ajo që nuk duhet të bëjnë është të zëvendësojnë gjykatën. Por e kundërta është po aq e vërtetë: As kryeministri nuk mund ta zëvendësojë debatin politik me një deklaratë se “drejtësia është e pavarur”.

Tani fjalën e ka drejtësia për çështjen penale.

Por për përgjegjësinë politike, fjalën e kanë qytetarët.

Foto nga Google Images

Artikulli përgatitur nga ACTVUSA

 

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img