Presidenti rus Vladimir Putin shpalli një armëpushim të përkohshëm për festën e Pashkëve, duke e cilësuar këtë si një gjest humanitar në mes të konfliktit të vazhdueshëm me Ukrainën. Megjithatë, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka shprehur skepticizëm të thellë ndaj këtij vendimi, duke deklaruar se operacionet sulmuese ruse po vijojnë në disa sektorë të vijës së frontit.
Në një mesazh të postuar në rrjetet sociale, Zelensky theksoi se zjarri i artilerisë ruse nuk është ndalur, pavarësisht shpalljes së armëpushimit. Ai shtoi se Moska ka manipuluar vazhdimisht situatën, duke e bërë të vështirë besimin në premtimet e saj për paqe. Sipas tij, Ukraina do të veprojë në përputhje me realitetin në terren, duke reflektuar çdo lëvizje të Rusisë me masa mbrojtëse.
Ndërkohë, raportet nga vijat e frontit tregojnë se forcat ukrainase vazhdojnë të mbajnë pozicionet e tyre, ndërsa në rajonin e Belgorodit, trupat ukrainase kanë avancuar dhe kanë zgjeruar zonën e kontrollit. Zelensky ka theksuar se nëse Rusia është vërtet e gatshme për një armëpushim, Ukraina do të përgjigjet me të njëjtën qasje, por deri tani, veprimet e Moskës nuk përputhen me fjalët e saj.
“Ne e dimë shumë mirë se si manipulon Moska dhe jemi të përgatitur për çdo gjë. Heshtje në përgjigje të heshtjes, sulme mbrojtëse në përgjigje të sulmeve”,shkroi ai në një deklaratë në X.
Foto nga Google Images