Kreu i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion (SPAK), Klodian Braho, deklaroi se çdo provë e administruar në një hetim trajtohet me seriozitet dhe nuk mbetet pa u shqyrtuar, duke theksuar se detaje të caktuara do të bëhen publike vetëm pasi hetimet të kenë përfunduar.
Braho u pyet gjatë raportimit të tij në Komisionin për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale për çështjen e njohur si dosja e takimit në Aruba, ku sipas raportimeve është hetuar pjesëmarrja e personave të dyshuar si pjesë e krimit të organizuar, si edhe e zyrtarëve të lartë.
Në përgjigje të pyetjeve të deputetit Ivi Kaso, kreu i SPAK-ut shmangu komentet mbi përmbajtjen konkrete të dosjes, duke argumentuar se hetimet janë ende në zhvillim dhe se nuk mund të bëhen publike elemente që mund të ndikojnë procesin.
“Nuk dua të ndalem te çështja konkrete, sepse është në hetim, por ajo që ju garantoj është se nuk mund të ndodhë që në SPAK të ketë një provë në një dosje dhe të lihet aty në gjumë. Këto që thuhen janë hamendësime. Në momentin e mbylljes së hetimeve mund të bëjmë transparencë mbi detaje të caktuara. Për SPAK-un janë të gjithë të barabartë para ligjit”, tha Braho.
Ai theksoi se institucioni që drejton vepron mbi bazën e provave dhe ligjit, duke nënvizuar se statusi apo funksioni i një personi nuk ndikon në trajtimin e çështjeve që hetohen nga Prokuroria e Posaçme.
Deklaratat e Brahos vijnë në një kohë kur dosja e njohur si “Aruba” ka ngjallur interes të madh publik dhe politik, për shkak të pretendimeve se në takimin e zhvilluar në ishullin karaibik kanë marrë pjesë individë të lidhur me botën e krimit, si edhe figura me funksione publike. SPAK ka bërë të ditur se informacion më i detajuar mbi këtë çështje do të mund të jepet vetëm pas përfundimit të procedurave hetimore.
Foto nga Google Images
Artikulli nga ACTVUSA


