Aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetja e Bullgarisë, kanë qenë temat e diskutuara në takimin që presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pasur me kryeministrin e Bullgarisë, Dimitar Glavchev, në margjina të Samitit të NATO-s në Washington D.C.
Siç ka bërë të ditur Presidenca e Kosovës në një komunikatë për media, në këtë takim Osmani ka theksuar se Bullgaria është mbështetëse e palëkundur e Kosovës në përpjekjet për anëtarësim në organizata ndërkombëtare.
“Në këtë kontekst u diskutua edhe për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO dhe mbështetjen e vazhdueshme nga partnerët tanë bullgarë”, thuhet në njoftim të Presidencës.
Sipas Osmanit, ndërmjet të dy shteteve ekziston një partneritet i fortë dhe angazhim i përbashkët për stabilitetin dhe sigurinë rajonale.