Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është shprehur se Gjermania mbetet aleatja kyç për rrugëtimin euroatlantik, e edhe për çështje të sigurisë dhe ekonomisë.
Osmani të martën mbërriti në Gjermani, nga ku tha se me ministren e Jashtme, Annalena Baerbock, rikonfirmuan “partneritetin e fortë”.
“Me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock, rikonfirmuam partneritetin e fortë ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë, Gjermania mbetet aleate kyçe për rrugëtimin tonë euroatlantik si dhe për çështjet politike, të sigurisë dhe ekonomike, ndaj puna jonë e përbashkët është rruga që shpie drejt sukseseve”, ka thënë Osmani në Facebook.
Osmani ka njoftuar se do të takohet edhe me presidentin gjerman, Frank Walter-Steinmeier.
(16:00) – Presidentja Vjosa Osmani ka takuar edhe kryetarin e Komisionit për Punë të Jashtme në Bundestagun gjerman Michael Roth.
Osmani i shprehu mirënjohjen Rothit për mbështetjen e vazhdueshme të tij dhe në përgjithësi të Bundestagut gjerman “për aspiratat e Kosovës për t’iu bashkuar organizatave ndërkombëtare dhe theksoi rëndësinë e rolit të shtetit gjerman në këtë proces”.
“Gjermania ka qenë një aleate tradicionale e popullit të Kosovës dhe ne e vlerësojmë shumë këtë mbështetje në përpjekjet tona për ta forcuar praninë dhe partneritetin tonë ndërkombëtar”, ka theksuar Osmani, sipas njoftimit të Presidencës.
Osmani dhe Roth, sipas njoftimit, ndër të tjera diskutuan edhe për Procesin e Berlinit, me ç’rast Presidentja Osmani ka ritheksuar mbështetjen e plotë për marrëveshjet e dala nga ky proces.
“Një pjesë e diskutimit në takim u fokusua edhe në procesin e dialogut me Serbinë”, thuhet në njoftim.