17.6 C
Sterling Heights
29/07/2026, 8:49
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

PD dërgon në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për kredinë 302 milionë dollarë me SHBA-të, Bardhi: U shkel Kushtetuta 7 herë

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetPD dërgon në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për kredinë 302 milionë dollarë me...

PD dërgon në Gjykatën Kushtetuese marrëveshjen për kredinë 302 milionë dollarë me SHBA-të, Bardhi: U shkel Kushtetuta 7 herë

Partia Demokratike ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shqyrtimin e marrëveshjes së huasë prej 302 milionë dollarësh mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për blerjen e pajisjeve ushtarake.

Në një deklaratë për mediat, kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, akuzoi mazhorancën socialiste se ka shkelur Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit gjatë procedurës së miratimit të marrëveshjes, duke renditur shtatë shkelje që, sipas tij, cenojnë rëndë procesin parlamentar dhe të drejtat e opozitës.

Sipas Bardhit, deputetëve nuk iu vu në dispozicion teksti i plotë i marrëveshjes dhe dokumentacioni shoqërues përpara votimit, duke u mohuar mundësia që të njiheshin me përmbajtjen, të konsultoheshin, të paraqisnin amendamente dhe të votonin në mënyrë të informuar.

Ai pretendoi gjithashtu se deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar kontroll mbi përdorimin e fondeve publike, pasi projektligji nuk u shoqërua me raportin financiar që argumentonte ndikimin e huasë në buxhetin e shtetit.

Një tjetër pretendim lidhet me procedurën e ndjekur në Kuvend. Bardhi tha se marrëveshja u fut në rendin e ditës dhe u miratua brenda së njëjtës ditë, pa respektuar afatet ligjore për njoftimin e deputetëve dhe pa u dhënë atyre kohën minimale për debat parlamentar. Sipas tij, kjo bie ndesh edhe me standardet e vendosura nga Gjykata Kushtetuese në vendime të mëparshme.

Kreu i grupit parlamentar demokrat kritikoi edhe përdorimin e procedurës së përshpejtuar, duke argumentuar se nuk ekzistonte asnjë situatë emergjente që të justifikonte një trajtim të tillë. Ai theksoi se marrëveshja ishte miratuar në parim nga qeveria që në muajin qershor dhe kishte qëndruar për javë të tëra pa u paraqitur në Kuvend, për t’u votuar më pas në ditën e fundit të punimeve parlamentare.

Sipas Bardhit, procedura e ndjekur ka cenuar edhe të drejtën kushtetuese të një të pestës së deputetëve për t’iu drejtuar Gjykatës Kushtetuese për kontroll paraprak të një marrëveshjeje ndërkombëtare, pasi ratifikimi u krye menjëherë, pa lënë kohë për një kërkesë të tillë.

Një tjetër argument i opozitës lidhet me karakterin konfidencial të marrëveshjes. Bardhi deklaroi se klasifikimi i saj si sekret pamundëson botimin në Fletoren Zyrtare, ndërkohë që Kushtetuta parashikon se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar bëhet pjesë e rendit juridik të Shqipërisë vetëm pasi publikohet në Fletoren Zyrtare.

Partia Demokratike kërkon që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë procedurën e ndjekur nga Kuvendi dhe të vlerësojë nëse ratifikimi i marrëveshjes është bërë në përputhje me Kushtetutën. Deri tani nuk ka një reagim zyrtar nga qeveria lidhur me padinë e depozituar nga opozita.

Lexoni ne vijim shtatë shkeljet që renditi Bardhi për miratimin e marrëveshjes: 

Shkelja e parë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për t’u njohur me marrëveshjen përpara votimit. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë Kryetarin e Kuvendit që, menjëherë pas depozitimit të projektligjit, t’u shpërndajë deputetëve projektligjin, tekstin e marrëveshjes dhe relacionin shoqërues. Kjo procedurë garanton që deputetët të kenë kohën e nevojshme për ta shqyrtuar marrëveshjen, për t’u konsultuar, për të paraqitur amendamente dhe për të vendosur me përgjegjësi se si do të votojnë.

Shkelja e dytë: Deputetëve iu mohua e drejta kushtetuese për të kontrolluar mënyrën e përdorimit të fondeve publike. Kushtetuta dhe Rregullorja e Kuvendit detyrojnë që projektligjet me efekte financiare të shoqërohen me raportin që përligj shpenzimet financiare. Ky raport u mundëson deputetëve të vlerësojnë ndikimin e projektligjit në Buxhetin e Shtetit dhe të ushtrojnë funksionin e tyre kushtetues të kontrollit mbi administrimin e financave publike. Në këtë rast, raporti që përligjte shpenzimet financiare nuk iu vu në dispozicion deputetëve.

Shkelja e tretë: Deputetëve iu mohua e drejta për të ushtruar lirisht funksionin e tyre parlamentar, përmes debatit parlamentar, paraqitjes së amendamenteve dhe votimit të informuar. Pikërisht për të garantuar ushtrimin efektiv të këtyre të drejtave, Rregullorja e Kuvendit parashikon që rendi i ditës të bëhet publik jo më vonë se dy ditë përpara seancës plenare. Në rastin e kësaj marrëveshjeje, kjo nuk ndodhi. Kryetari i Kuvendit njoftoi ndryshimin e rendit të ditës të hënën dhe, po atë ditë, mazhoranca shqyrtoi dhe miratoi marrëveshjen, duke zhvlerësuar afatin ligjor prej 48 orësh të njoftimit të rendit të ditës së seancës, i cili është përcaktuar si mekanizëm që garanton këto të drejta të deputetëve. Edhe Gjykata Kushtetuese ka arsyetuar se mosrespektimi i afatit dyditor për rendin e ditës cenon parimin e demokracisë përfaqësuese.

Shkelja e katërt: Kjo lidhet me një afat tjetër shumë të rëndësishëm, i përcaktuar shprehimisht në Kushtetutë dhe i interpretuar qartë nga Gjykata Kushtetuese, kur ajo rrëzoi mënyrën se si Kuvendi miratoi Rregulloren e funksionimit të tij. Një rast identik me mënyrën se si u miratua marrëveshja me SHBA-të të hënën. Edhe praktika e ndjekur për këtë marrëveshje, njësoj si praktika e shpallur antikushtetuese për Rregulloren e Kuvendit, u zhvillua me procedurë të përshpejtuar brenda 24 orëve. Në vendimin që duhet të ishte detyrues për Parlamentin, Gjykata Kushtetuese arsyetoi, në muajin shkurt, se mosrespektimi i afatit minimal njëjavor cenon sërish parimin e demokracisë përfaqësuese, duke ua mohuar deputetëve të drejtat e tyre kushtetuese.

Shkelja e pestë: Marrëveshja u trajtua sikur Shqipëria të ndodhej në një situatë të jashtëzakonshme, me nevojë dhe urgjencë për hyrjen e menjëhershme në fuqi të ligjit. Në fakt, nuk ekzistonte asnjë nga këto kushte. Vetë qeveria e rrëzon pretendimin për urgjencë. Marrëveshja u miratua prej saj në parim më 19 qershor dhe u nënshkrua më 22 qershor. Këshilli i Ministrave kishte më shumë se një muaj kohë për ta paraqitur projektligjin sipas procedurës së zakonshme parlamentare, por zgjodhi ta mbante një muaj në sirtar dhe, për arsye që i di vetëm Edi Rama, ta sillte në Parlament vetëm në ditën e fundit të punimeve të tij. Në këto kushte, nuk mund të flitet për një urgjencë objektive, por për një urgjencë artificiale, të krijuar nga vetë qeveria. Po ashtu, Shqipëria nuk ndodhej në një situatë që të justifikonte nevojën urgjente për t’u pajisur me pajisje ushtarake, pasi nuk përballej me ndonjë agresion të armatosur apo kërcënim të jashtëm.

Shkelja e gjashtë: 1/5 e deputetëve kanë të drejtë të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese për të kontrolluar një marrëveshje përpara ratifikimit të saj. Duke e sjellë dhe miratuar marrëveshjen brenda një dite, procedura parlamentare praktikisht e ka zhveshur pakicën parlamentare nga ushtrimi i përgjegjësisë së saj për të ushtruar kontrollin e kushtetutshmërisë së marrëveshjes në kohë, për të vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, nëse çmonte, përpara ratifikimit, si dhe praktikisht ka zhveshur vetë Gjykatën Kushtetuese nga kompetenca për të vlerësuar kushtetutshmërinë e marrëveshjes.

Shkelja e shtatë: Qeveria ka pamundësuar hyrjen në fuqi të Marrëveshjes së Huasë me SHBA-të. Duke e shpallur marrëveshjen sekrete, ajo ka pamundësuar botimin e saj në Fletoren Zyrtare. Por Kushtetuta përcakton qartë se një marrëveshje ndërkombëtare e ratifikuar me ligj bëhet pjesë e sistemit të brendshëm juridik vetëm pasi botohet në Fletoren Zyrtare. Në këto kushte, mënyra se si është trajtuar kjo marrëveshje krijon një papajtueshmëri të drejtpërdrejtë me Kushtetutën, pasi një marrëveshje që nuk botohet nuk mund të hyjë në fuqi dhe as të bëhet pjesë e sistemit juridik të Republikës së Shqipërisë.

Foto nga Google Images

Artikulli pregatitur nga ACTVUSA

 

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img