11.3 C
Sterling Heights
08/11/2026, 18:41
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche paralajmëron demokratët pas fitores në Kongres, përplasja me Trumpin hyn në një fazë të re

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetProkurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche paralajmëron demokratët pas fitores në...

Fitorja e demokratëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA ka hapur një kapitull të ri në përplasjen politike mes Kongresit dhe administratës së Presidentit Donald Trump. Me marrjen e kontrollit të të dyja dhomave të Kongresit në Janar 2027, demokratët po përgatiten të përdorin kompetencat e tyre mbikëqyrëse për të hetuar vendimet, politikat dhe veprimtarinë e zyrtarëve të administratës republikane.

Në qendër të debatit është vendosur Prokurori i Përgjithshëm i SHBA-së, Todd Blanche, i cili të dielën, më 8 Nëntor, në një intervistë për emisionin State of the Union të CNN-it, mbrojti rolin e Departamentit të Drejtësisë në përfaqësimin ligjor të anëtarëve të administratës Trump përpara Kongresit.

Blanche argumentoi se Departamenti i Drejtësisë ka përgjegjësinë të ofrojë përfaqësim ligjor për zyrtarët e degës ekzekutive kur ata thirren për të dhënë shpjegime ose përballen me procedura në Kongres. Ai theksoi se kjo nuk është një praktikë e veçantë e administratës aktuale, por një rol që, sipas tij, e kanë ushtruar edhe administratat e mëparshme.

Një nga emrat e përmendur në këtë debat është Stephen Miller, i cili është emëruar shef i stafit të Shtëpisë së Bardhë. Pas paralajmërimeve të demokratëve se ai mund të jetë objekt i hetimeve parlamentare, Blanche reagoi duke deklaruar se Miller tashmë ka një mbrojtës ligjor, duke iu referuar vetes dhe Departamentit të Drejtësisë.

Por për Blanche, kjo përgjegjësi shtrihet përtej Stephen Millerit. Ai deklaroi se zyrtarët e administratës Trump do të kenë mbështetjen e tij ligjore nëse përballen me hetime parlamentare. Në një mesazh të drejtpërdrejtë, ai paralajmëroi demokratët: “Nëse kjo është ajo që dëshiron udhëheqja e re që po vjen, ne jemi gati. Nëse punon në këtë administratë, ke një avokat. Jam unë.”

Nga ana tjetër, Robert Garcia, kongresmen demokrat nga Kalifornia dhe kandidati kryesor për të drejtuar Komitetin e Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve, ka bërë të qartë se demokratët nuk do të tërhiqen nga planet e tyre. Ai paralajmëroi se hetimet do të përfshijnë edhe Elon Musk, për rolin e tij në Departamentin për Efikasitetin e Qeverisë (DOGE) dhe largimin masiv të punonjësve federalë, si dhe Stephen Millerin për përfshirjen në politikat e administratës ndaj emigracionit.

Garcia e ka konsideruar Millerin një nga figurat kryesore në hartimin dhe zbatimin e politikave të emigracionit dhe kërkon që roli i tij të shqyrtohet nga Kongresi. Ai gjithashtu ka kundërshtuar publikisht deklaratat e Blanche, duke thënë se demokratët nuk do të frikësohen nga paralajmërimet e Departamentit të Drejtësisë.

Përplasja u bë edhe më e fortë pas një ndërhyrjeje të vetë Donald Trumpit. Të shtunën, Presidenti publikoi një mesazh në Truth Social, ku akuzoi disa demokratë se po kërcënonin zyrtarë të administratës dhe mbështetës financiarë të republikanëve me hetime dhe procedura shkarkimi. Ai e cilësoi këtë sjellje si shantazh dhe urdhëroi Departamentin e Drejtësisë të shqyrtonte çështjen si një veprim të mundshëm kriminal.

Mes personave të përmendur nga Trump ishte edhe senatorja demokrate Elissa Slotkin nga Michigan. Blanche, gjatë intervistës për CNN, nuk konfirmoi nëse ishte hapur zyrtarisht një hetim ndaj kongresmenëve demokratë dhe as nuk identifikoi ndonjë dispozitë konkrete ligjore që mund të ishte shkelur. Ai la të hapur mundësinë e ndjekjes penale, në varësi të veprimeve dhe deklaratave konkrete.

Ndërkohë, demokratët kanë fituar kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në zgjedhjet e 3 Nëntorit 2026. Ndryshimi i kontrollit do të hyjë në fuqi në Janar 2027, kur të mblidhet Kongresi i ri.

Kryetari i ardhshëm i Dhomës së Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, ka shprehur gjithashtu mbështetjen për një rezolutë që synon nisjen e procedurave për shkarkimin e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Kjo tregon se përplasja e ardhshme nuk do të kufizohet vetëm te Departamenti i Drejtësisë, por mund të përfshijë edhe drejtues të tjerë të administratës Trump.

Sipas raportimeve të The Washington Post, në fokusin e hetimeve të mundshme do të jetë edhe mënyra se si Departamenti i Drejtësisë ka funksionuar gjatë mandatit të dytë të Trumpit, përfshirë largimet masive të prokurorëve dhe punonjësve të karrierës, çështjet penale të hapura ndaj kundërshtarëve të presidentit dhe marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe këtij institucioni. Një tjetër çështje që mund të rikthehet në Kongres është marrëveshja e propozuar për zgjidhjen e padisë së Trumpit kundër Shërbimit të të Ardhurave të Brendshme (IRS), e cila parashikonte një fond prej afro 1.8 miliardë dollarësh, por që Blanche deklaroi se nuk do të zbatohej pas kundërshtimeve në Kongres.

Dy vitet e fundit të mandatit të Trumpit pritet të zhvillohen nën një Kongres të kontrolluar nga kundërshtarët e tij politikë. Demokratët do të kenë në dispozicion kompetenca për të kërkuar dokumente, për të thirrur dëshmitarë dhe për të zhvilluar seanca hetimore. Nga ana tjetër, administrata Trump ka sinjalizuar se do t’i kundërshtojë këto përpjekje dhe do të mbrojë zyrtarët e saj.

Përplasja mes Shtëpisë së Bardhë dhe Kongresit po hyn kështu në një fazë të re, ku në qendër nuk do të jetë vetëm agjenda politike e presidentit, por edhe kufiri i kompetencave mes pushtetit ekzekutiv dhe atij legjislativ. Se sa larg do të shkojnë hetimet dhe nëse ato do të prodhojnë pasoja konkrete politike apo ligjore, do të bëhet e qartë pas marrjes së detyrës nga Kongresi i ri në Janar.

Foto nga Google Images

Artikulli përgatitur nga ACTVUSA

 

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img