21.4 C
Sterling Heights
04/05/2024, 19:44
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Qeveria kërkon heqjen e masave, BE-ja paralajmëron përditësim të obligimeve

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetQeveria kërkon heqjen e masave, BE-ja paralajmëron përditësim të obligimeve

Obligimet që dalin nga Marrëveshje Bazë dhe Aneksi për zbatimin e saj, për Kosovën do të përditësohen në takimin e radhës të Grupit Special të Normalizimit. Zyrtarë të BE-së kanë thënë se, janë vetë palët që kanë pranuar detyrimet përkatëse, ku Serbisë ato i janë bërë obliguese në kuadër të kapitullit 35

Përditësim të detyrimeve që lidhen me zbatimin e marrëveshjeve të dialogut kanë paralajmëruar zyrtarë të Bashkimit Evropian, ditët në vijim. Derisa për Serbinë tashmë është vendosur që Marrëveshja Bazë dhe Aneksi për zbatimin e saj t’i bëhen obligim në kapitullin 35 në rrugën drejt integrimit në BE, për Kosovën ato do të caktohen në kuadër të Grupit Special për Normalizim.

“Të dyja palët kanë pranuar se detyrimet e tyre përkatëse që rrjedhin nga Marrëveshja në Rrugën drejt Normalizimit do të bëhen pjesë integrale e rrugëve të tyre drejt integrimit evropian. Aneksi i zbatimit i përfunduar në mars 2023 në Ohër pasqyron gjithashtu këtë angazhim nga palët. Standardet e përkohshme të Kapitullit 35 për Serbinë dhe agjenda e takimit të ardhshëm e Grupit Special të Normalizimit për Kosovën do të përditësohen në përputhje me rrethanat”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, të martën.

Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese të BE-së pas tensioneve të vitit të kaluar në veri. Me gjithë insistimin e qeverisë se ka ndërmarrë hapat e domosdoshëm për shtensionim, përfshirë procesin e fundit zgjedhor që u bojkotua nga serbët, në BE nuk kanë dhënë sinjale se do t’i heqin ato.
Sipas zyrtarëve të BE-së, rezultatet e votimit në veri nuk kontribuojnë në zbutjen e tensioneve tek e kanë lënë në dorën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Joseph Borrell që të vendosë për heqjen eventuale të masave.

Pas zgjedhjeve të fundit, qeveria i kërkoi edhe një herë BE-së heqjen e masave.

“Me përfundimin e këtij procesi, pa marrë parasysh rezultatin, Republika e Kosovës ka përmbushur obligimin e saj ndaj qytetarëve të saj dhe përgjegjësinë e marrë nga dakordimi me Bashkimin Evropian për depërshkallëzimin e situatës në veri të vendit. Andaj, pas votimit të djeshëm është koha që masat e padrejta ndaj Kosovës përfundimisht të largohen”, thuhet në njoftimin e qeverisë së Kosovës.

Procesi i së dielës, për shkarkim ose jo të kryetarëve të komunave në veri, u bojkotua pas thirrjes që ua bërë Lista Serbe, subjekt ky që mbështetet nga Beogradi zyrtar, edhe pse vetë iniciuan procesin përmes mbledhjes së nënshkrimeve në janar të këtij viti.

Në tekstin e ri të kornizës negociuese si kusht për Serbinë është vendosur teksti: “Serbia zbaton plotësisht obligimet që dalin nga Marrëveshja në rrugën drejt normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, sipas Aneksit të zbatimit të saj, siç ishin pajtuar më 18 mars të vitit 2023”.

Më 27 shkurt 2023 në Bruksel, Kosova dhe Serbia kishin arritur Marrëveshjen Bazë, ndërkaq më 18 mars në Ohër, u arrit pajtimi për Aneksin e zbatimit të marrëveshjes.

Përparimi në procesin e normalizimit të raporteve me Kosovën edhe më herët kishte qenë pjesë e kushtëzimeve në negociatat e anëtarësimit të Serbisë në BE. Tash edhe në mënyrë specifike përmendet zbatimi i marrëveshjeve të vitit të kaluar, pavarësisht se mungon nënshkrimi i palëve.
Marrëveshja Bazë, e cila ka 11 nene parasheh vetëmenaxhim për komunitetin serb në Kosovë që sipas qeveritarëve dhe BE-së nënkupton themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Për këtë, BE-ja ia ka propozuar qeverisë edhe një draft statut duke kërkuar që të njëjtin ta miratojë dhe t’ia përcjellë për interpretim Gjykatës Kushtetuese.

Zyrtarët serbë në disa raste e kanë përsëritur se nuk do të t’i zbatojnë pjesët e marrëveshjes që flasin për mospengim të Kosovës për t’u anëtarësuar në organizata ndërkombëtare. Fushata e Serbisë po vazhdon ende në përpjekje për ta penguar finalizimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, ku vendimmarrja finale pritet muajin e ardhshëm.

Në mungesë të zbatimit të marrëveshjeve, BE-ja muajt e fundit u mor me menaxhimin e krizës në veri. Kërkesë e tyre ishte që kryetarët të japin dorëheqje për t’u hapur më shpejtë rrugë zgjedhjeve të reja. Por qeveria miratoi një udhëzim përmes të cilit serbët mund të iniciojnë peticion për largimin e kryetarëve. Lista Serbe udhëhoqi mijëra serbë për mbledhjen e nënshkrimin, por që procesin e votimit, bëri thirrje të bojkotohet.

Tek u janë referuar kërkesave të ndërkombëtarëve, përfaqësues të komunave në veri e kanë përjashtuar mundësinë të japin dorëheqje për ta shkurtuar rrugën drejt zgjedhjeve.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut, Nexhat Ugljanin tha se prej fillimit tendenca e Listës Serbe ka qenë për ta dështuar votimin, në të cilin nuk morën pjesë më shumë se 256 qytetarë nga katër komunat veriore.

“Paralajmërimet e mia kanë qenë se do të ndodhë bojkoti, sepse ndikimi është nga Republika e Serbisë te Lista Serbe, duke përmendur si arsye moskrijimin e asociacionin, dinarin, aksionet e policisë në veri. Ato s’janë arsye dhe vendimi është i pakuptimtë nga subjekti Lista Serbe por siç po shihni Beogradi ka ndikuar. Sigurisht ne nuk i marrim përsipër dështimet e Listës Serbe. Ky është një autogol për ta dhe një plus për kryetarët që janë në shërbim të qytetarëve. Sipas udhëzimit, ata nuk kanë të drejtë që për një vit të lajmërohen”, ka theksuar Ugljanin.

“Nuk është vetëm dështimi nga Lista Serbe, dështimi është dhe nga Bashkësia ndërkombëtare e cila ka luajtur rol të rëndësishëm që ky proces të kryhet në mënyrë demokratike. Këtë është përpjekur ta bëjnë institucionet tona, duke filluar nga aspekti i sigurisë e organizativ.  Por obligimet dhe përgjegjësinë për dështimin duhet me marrë bashkësia ndërkombëtare edhe Lista Serbe”.

Sipas tij, ka tendenca për krijimin e një krize më të madhe në veriun e populluar me shumicë serbe.

“Sigurisht ata sidomos pas mos daljes dhe shansin që patën sot për shkarkimin e kryetarëve përmes peticionit, do të prodhojnë ndoshta krizë humanitare, politike që ajo të jetë prezente në terren. Është në shfrytëzim të krizave politike në veri për interesa të një shteti që është në bisedime, pra Serbisë edhe ajo në vazhdimësi do të ndodhë dhe ne po presim. Por jemi mësuar me këto edhe me destabilizim dhe tensionim të situatës”, është shprehur Ugljanin.

Zgjedhjet e 23 të prill të vitit të kaluar po ashtu ishin bojkotuar nga Lista Serbe duke bërë që për herë të parë në këto komuna të zgjidhen kryetarë shqiptarë.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img