24.9 C
Sterling Heights
20/07/2026, 23:46
spot_imgspot_imgspot_imgspot_img

Artikuj te tjere nga Autori

Rama: “Po më akuzojnë për tradhti kombëtare me materiale të bëra nga ChatGPT”

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
BallinaAktualitetRama: “Po më akuzojnë për tradhti kombëtare me materiale të bëra nga...

Sot, në podcastin e tij, kryeministri Edi Rama doli me një reagim të gjatë ku u ndal te debatet e fundit mbi Gjirin e Porto Palermos dhe pretendimet që kanë qarkulluar në rrjet. Në fjalën e tij ai hodhi poshtë akuzat dhe interpretimet që, sipas tij, po përdoren si “dezinformim”, duke i lidhur ato me masterplane të keqinterpretuara dhe me sulme politike ndaj qeverisë.

Sipas kryeministrit Edi Rama, problemi nuk janë dyshimet e qytetarëve, nuk janë debatet për Porto Palermon dhe as nevoja për transparencë. Problemi qenkan “dështak-zemërakët”, “inkuizicioni”, “dezinformatorët e paguar” dhe… ChatGPT. Me pak fjalë, të gjithë gabojnë, përveç qeverisë.

Në fjalën e tij, Rama shpjegon se masterplanet janë vetëm ide të arkitektëve, se disa prej tyre madje janë refuzuar nga institucionet dhe se vetë ai ka kërkuar mbrojtjen e Gjirit të Porto Palermos. Nëse është kështu, atëherë lind pyetja më e thjeshtë: pse zemërimi nuk drejtohet te dokumentet, por te ata që bëjnë pyetje për dokumentet?

Ironia është se sa herë lind një debat publik, përgjigjja nuk vjen me më shumë transparencë, por me një fjalor gjithnjë e më të pasur etiketash. Kush nuk bindet është “inkuizitor”. Kush publikon një dokument është “agjitator algoritmi”. Kush kritikon është “i paguar”. Dhe tani, mesa duket, edhe inteligjenca artificiale është futur në listën e “armiqve të popullit”.

Por nëse një projekt nuk ekziston, atëherë nuk ka nevojë për fyerje për ta rrëzuar. Mjaftojnë faktet. Nëse Porto Palermo është realisht i mbrojtur nga çdo zhvillim ndërtimor, atëherë kjo provohet me vendime zyrtare dhe transparencë, jo me sulme ndaj gazetarëve apo kujtdo që ngre pikëpyetje.

Paradoksi është se kryeministri thotë se jetojmë në “kohë të vështirë për të vërtetën”, ndërkohë që çdo zë kritik etiketohet si pjesë e një komploti. Kur çdo kritik bëhet armik dhe çdo pyetje quhet dezinformatë, e vërteta nuk mbrohet; ajo zëvendësohet nga propaganda.

Dhe ndoshta ironia më e madhe është kjo: një kryeministër që për vite ka ndërtuar imazhin e tij mbi komunikimin, debatet dhe rrjetet sociale, sot duket se shqetësohet më shumë nga një analizë në internet sesa nga nevoja për t’u përgjigjur qetësisht pyetjeve të publikut. Sepse në fund të fundit, në demokraci nuk është qytetari ai që duhet të bindet me epitete; është pushteti ai që duhet të bindë me fakte.

Ja nje pjese nga monologu i stergjatur i Rames: 

“Këtu nuk kemi të bëjmë me një interpretim të mbrapshtë të këtij masterplani që mund të jetë real. Ka masterplane që mund të jenë reale në librin “Albanian Files” të cilat inkuizicioni i dështak-zemërakëve të kores së zezë të protestës, e ka kthyer në një akt-akuzë për mua.

Dhjetë prej arkitektëve të huaj janë nderuar me Nobel-in e arkitekturës. Këtu nderohen me një akt-akuzë. Janë masterplane të porositura nga subjekte private në troje privatë, që arkitektët kanë zgjedhur t’i vendosin në dosjen e tyre në libër në liri të plotë dhe disa prej tyre janë masterplane të papranuara nga Këshilli i Mbrojtjes së Territorit, provë që Këshilli nuk është fasadë, por institucion serioz.

Megjithatë, inkuizicioni i përdor këto si prova të aktakuzës për tradhtinë time kombëtare, shitjen e atdheut nga unë, gjithë të zezat që dështak-zemërakët m’i faturojnë mua, sepse duan të ngushëllojnë veten për falimentimin e tyre në mediokritet. Por ky agjitator i algoritmit, e ka bërë vetë me Chat GPT.

Kjo është fytyra e dezinformatorëve të paguar të opinionit publik, që e kanë humbur që të rinj pigmentin e zverdhjes dhe të skuqjes dhe që paguajnë urdhrat e kujtdo që i paguan mbi dhe nën dorë. Ironia në këtë rast, që e zgjodha pasi kemi kthyer disa leje në atë zonë, është bërë edhe një batërdi me tituj pronësie të dhënë kuturu në kohën e copëtimit të madh të pronës në Shqipëri.”

Foto nga Google Images.
Artikulli pergatitur nga ACTVUSA.

Artikujt e fundit

Lajmet e fundit

spot_imgspot_imgspot_img