Puna e Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore do të vijojë edhe pas përfundimit të afatit fillestar, pasi Kuvendi pritet të miratojë zgjatjen e mandatit të tij deri në muajin nëntor. Vendimi vjen në një kohë kur komisioni nuk ka arritur ende të finalizojë paketën e ndryshimeve të planifikuara në Kodin Zgjedhor dhe në legjislacionin për financimin e partive politike.
Gjatë fjalës së tij në seancën plenare të Kuvendit, bashkëkryetari socialist i komisionit, Damian Gjiknuri, tha se puna e deritanishme ka qenë e rëndësishme, por është ngadalësuar për shkak të mosmarrëveshjeve politike mes palëve. Sipas tij, shtyrja e afatit do t’i japë kohë komisionit të adresojë rekomandimet e mbetura dhe të përgatisë një paketë sa më konsensuale të ndryshimeve.
Gjiknuri la të kuptohet se, nëse nuk arrihet një marrëveshje në kohë, edhe zgjedhjet vendore të vitit 2027 mund të zhvillohen mbi bazën e Kodit Zgjedhor aktual. Ai theksoi se reforma nuk duhet të bëhet me nxitim, por përmes një procesi që garanton dakordësi politike dhe zbatimin e rekomandimeve të partnerëve ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, deputeti socialist u shpreh se qeveria mbetet e gatshme të financojë zgjerimin e teknologjisë në procesin zgjedhor, duke synuar që në të ardhmen votimi elektronik të mund të zbatohet në shkallë kombëtare, nëse arrihet konsensusi i nevojshëm politik.
Edhe bashkëkryetari demokrat i komisionit, Oerd Bylykbashi, është shprehur dakord me nevojën për shtyrjen e afatit, duke argumentuar se reforma kërkon më shumë kohë për të adresuar çështje të rëndësishme si përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatave, financimi i partive politike dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe Komisionit të Venecias.
Komisioni i Posaçëm për Reformën Zgjedhore u ngrit me synimin për të hartuar një reformë të re zgjedhore në bashkëpunim mes mazhorancës dhe opozitës, duke reflektuar standardet ndërkombëtare dhe rekomandimet e përsëritura të OSBE/ODIHR. Megjithatë, pas disa muajsh pune, procesi ende nuk ka prodhuar një paketë përfundimtare ndryshimesh, çka ka bërë të nevojshme zgjatjen e mandatit të tij.
Po të dëgjosh Damian Gjiknurin, krijohet përshtypja se reforma zgjedhore është kthyer në një projekt pa afat, që mund të shtyhet sa herë të jetë e nevojshme. Pas zgjedhjeve të vitit 2025, tani dëgjojmë se edhe zgjedhjet e vitit 2027 mund të zhvillohen me Kodin aktual. Kjo ngre një pyetje të thjeshtë: nëse të gjithë bien dakord se Kodi ka nevojë për ndryshime dhe se rekomandimet e OSBE/ODIHR duhet të zbatohen, atëherë pse reforma vazhdon të shtyhet dhe kujt i shërben kjo vonesë?
Nëse zgjedhjet vendore zhvillohen me të njëjtat rregulla, atëherë do të mbeten të pazgjidhura pikërisht problemet që janë evidentuar prej vitesh nga vëzhguesit ndërkombëtarë: përdorimi i burimeve shtetërore gjatë fushatës, transparenca e financimit të partive dhe kandidatëve, barazia e garës dhe boshllëqet në administrimin e procesit zgjedhor. Ironia është se flitet vazhdimisht për një reformë që do të garantonte zgjedhje më të ndershme dhe më të besueshme, por në fund qytetarët mund të thirren sërish të votojnë sipas të njëjtave rregulla që të gjithë pranojnë se kanë nevojë për ndryshim.
Foto nga Google Images
Artikulli pregatitur nga ACTVUSA


